Kënaqesia juaj në portalin tonë!
Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha User-comments-icon
Mire se vini ne Ardhmeria Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Ardhmeria Forum, mund te gjeni Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Ardhmeria-Forum Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Kënaqesia juaj në portalin tonë!
Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha User-comments-icon
Mire se vini ne Ardhmeria Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Ardhmeria Forum, mund te gjeni Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Ardhmeria-Forum Staff.
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:54 pm

Forcimi i Pashallëqeve

Me çthurjen e sistemit feudal-ushtarak dhe dobësimin e pushtetit qëndror turk u çthur edhe administrata shtetërore e perandorisë. Kjo u dha rast feudalëve të fuqishëm shqiptarë, sikurse edhe feudaleve të mëdhenj të provincave të tjera të Turqisë të shpërdoronin ofiqet e larta që zinin në administratë, për t'u fuqizuar ekonomikisht dhe politikisht.

Një mjet për pasurimin e tyre ishte gjithmonë sipërmarrja e taksave. Në Shqipëri, sipërmarrës për mbledhjen e taksave shtetërore të sanxhaqeve ose të kazave bëheshin zakonisht vetë mytesarifët ose myteselimët e tyre. Këta përpiqeshin të nxirnin nga popullsia vendëse me anën e dhunës sa më tepër taksa duke siguruar për vehte fitime të mëdha. Për të ushtruar funksionet e tyre dhe për të grumbulluar më me lehtësi taksat që merrnin pothuajse çdo vit në iltizam, mytesarifët dhe myteselimët mbanin tani pranë vehtes një aparat nëpunësish dhe një ushtri personale mercenarësh. Me forcimin e pozitave të tyre feudalët e mëdhenj filluan jo vetëm të nxirrnin nga fshatarët të ardhura sa më të mëdha, por edhe të përvehtësonin shumën e taksave që i takonin Stambollit. Shteti turk, duke qenë në vështirësi të madhe financiare, nuk i lejonte këta feudale të përvehtësonin të ardhurat që i takonin thesarit perandorak, dhe bile i lakmonte për vehte pasuritë e mëdha që ata kishin grumbulluar. Në këto kushte lindën kontradikta të ashpëra midis feudalëve të mëdhej shqiptare dhe pushtetit qëndror otoman.

Në pjesën e parë të shek. XVIII këto kontradikta u thelluan edhe më tepër. Sulltanët morën kundër qeveritarëve të pabindur masa të ndryshme, sipas rastit, duke i shkarkuar nga postet administrative që zinin, ose duke i transferuar nga njeri sanxhak në tjetrin. Kur patën mundësi sulltanët i shpallën këta qeveritarë "fermanli" dhe organizuan kundër tyre ekspedita ushtarake. Por, kur e ndjenin vehten të dobët ose kur ishin të zënë me luftë kundër shteteve të huaja, përpiqeshin të mos i acaronin marrëdhëniet e tyre me feudalët e mëdhej të Shqipërisë. Nga ana e tyre shumë qeveritarë feudalë shqiptarë, duke e parë pushtetin turk të dobët, filluan të mos i përfillnin më fermanët e sulltanit dhe të mos u trembeshin kërcënimeve të Stambollit. Megjithatë, në këtë periudhë, ata nuk mendonin asnjëherë të shkëputeshin nga Turqia. Ata kishin gjithnjë nevojë për pushtetim perandorak turk, kishin nevojë të përdornin autoritetin e sulltanit për të mbrojtur interesat e veta.

Në këtë mënyrë gjatë gjysmës së parë të shek. XVIII filloi të ndryshonte raporti i forcave që ekzistonte më parë kur feudalët spahij të Shqipërisë ishin krejtësisht të varur nga sulltani. Tani disa nga qeveritarët e mëdhej feudalë u bënë shumë të fuqishëm dhe filluan të ndjenin vehten më pak të varur nga Stambolli. Këta sundonin si mytesarifë ose myteselimë duke u mbështetur më tepër në fuqinë e vet ekomomike, politike dhe ushtarake se sa në pushtetin qëndror otoman, dalëngadalë po pushonin së qëni funksionarë të Stambollit dhe po ktheheshin në qeveritarë gjysmë-autonomë. Që nga kjo kohë ndarja administrative shtetërore u përmbys. Sanxhaqet u coptuan në zotërime të vogla e të mëdha. Këto zotërime feudale gjysma autonome u quajtën pashallëqe.

Pashallëku përfshinte sipas fuqisë së qeveritarit feudal teritorin e një, dy a më tepër kazave, nga ndonjëherë krejt territorin një sanxhaku, bile edhe më tepër, nën sundimin e një qeveritari feudal, i cili zakonisht kishte fituar që më parë titullin e pashës. Në çerekun e dytë të shek. XVIII, kur Turqia ishte zënë me luftat kundër Persisë, Austrisë, Rusisë, u formuan në Shqipëri pashallëqet e Shkodrës, Delvinës, Vlorës, Elbasanit, Kavajës, Çamërisë, etj.

Sundimtarët e këtyre pashallëqeve vazhdonin të mbanin gjithnjë titullin e mytesarifit ose to myteselimit dhe qeverisnin formalisht në emër të sulltanit. Këta i zbatonin rregullisht urdhërat e qeverisë qëndrore, kur këto nuk cënonin interesat e ngushta personale. Kur interesat e tyre prekeshin, atëhere sundimtarët e pashallëqeve nuk i vinin në zbatim duke gjetur pretekste të ndryshme. Dhe, ndërsa nga njera anë i bënin sulltanit deklarata besnikërie dhe përunjësie, nga ana tjetër, përpiqeshin të forconin autoritetin e vet në territoret e sanxhakut-pashallëk ose të kazasë, pashallëk, duke i kthyer në vasalë feudalët e tjerë dhe veçanërisht spahijtë e pashallëkut. Në disa raste sundimtari i një kazaje u bë aq i fuqishëm, sa futi nën vartësine e vet edhe vetë mytesarifin e sanxhakut. Familjet feudale që sunduan në këto pashallëqe u kthyen dalëngadalë në një farë aristokracie feudale shqiptare. Për t'u dalluar nga masa e feudalëve të vegjël, familjet e mëdha feudale u quajtën oxhaqe. Në disa raste oxhaqet feudale e filluan veprimtarinë e tyre si pronarë të mëdhej çifigjesh dhe pastaj kaluan si sundimtarë pashallëqesh. Të tillë, qenë për shëmbëll, oxhaqet e Begollajve në Pejë, bixhakçijve në Elbasan, Vlorajve në Vlorë. Por në raste të tjera ndodhi e kundërta. Mjaft familje feudale siguruan me mjete të ndryshme më parë sundimin e një sanxhaku ose kazaje dhe pastaj duke shpëndorur ofiqet administrative, grumbulluan prona të mëdha çifligare. Por në të dy rastet, formimi i pashallëqeve ishte i lidhur me procesin e zgjerimit të pronës çifligare dhe me tendencën e shtimit përherë e më të madh të të ardhurave të feudalëve. Me krijmin e oxhaqeve feudale shqiptare u përmbys hierarkia feudale-ushtarake dhe u minua pushteti i centralizuar turk në Shqipëri.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:54 pm

Anarkia Feudale

Me Pushteti i centralizuar feudal turk zuri të zëvendësohej në Shqipëri dalëngadalë me pushtetin partikularist feudal të oxhaqeve. Si rrjedhim, filluan të shkeleshin edhe ligjet themeltare otomane që ishin ndërtuar mbi parimin e centradizmit shtetëror. Në fakt, qysh në pjesën e parë të shek. XVIII mbaroi periudha e administrimit të sanxhaqeve të Shqipërisë sipas kanunnameve të hartuara në shek. XVI dhe të plotësuara më vonë. Vendin e kanunnameve e zuri në çdo pashallëk vullneti i feudalit më të fuqishëm të atij pashallëku.

Në politikën e tyre partikulariste oxhaqet gjetën përkrahjen e atyre spahijve, të cilët ndryshe nga spahijtë e shpronësuar, kishin grumbulluar në duart e tyre, në kundërshtim me kanunnamete e vjetra, dy a më tepër timare, kishin ritur hassaçifligjet dhe po i shmangeshin, me pretekste të ndryshme, pjesëmarrjes në luftat e Turqisë. Kadilerët e Shqipërisë, të cilët më parë përkrahnin interesat e pushtetit qëndror, duke mos gjetur përkrahjen e duhur nga sulltani, u detyruan edhe ata të saksiononin veprimet e oxhaqeve. Përvetësimi i taksave shtetërore, shkelja e ligjeve themeltare dhe mosmarrja pjesë në luftat e Turqisë, e thelluan edhe më tepër krizën financiare, politike dhe ushtarake të perandorisë. Këto sollën thellimin e kontradiktave midis pushtetit qëndror dhe feudalëve shqiptarë dhe shpërthimin në mjaft raste të konflikteve të armatosura, të organizuara gjithëmonë nga Stambolli.

Veç kësaj, me qëllim që të shtonin të ardhurat dhe të forconin pushtetin e vet, oxhaqet e mëdha u përpoqën të zgjeronin kufijtë e pashallëqeve duke nënshtruar pashallëqe të tjera dhe, në mënyrë të veçantë, qytetet më të lulëzuara të vendit. Në këto qytete, përveç të ardhurave që nxirnin në formë taksash e sipërmarrjesh si sundimtarë, ata ndërhynim edhe në veprimtarine e tregëtarëve dhe kërkonin të bëheshin ortakë me ta. Kjo tendencë solli, gjatë shek. XVIII, shpërthimin e konflikteve të armatosura midis sundimtarëve fqinj si dhe midis feudaleve të mëdhej nga njëra anë dhe qytetarëve nga ana tjetër. Disa nga këto lufta vazhduan për dhjetra vjetë me radhë. Lufta midis oxhakut të Begollajve, Çaushollajve dhe Bushatllijve për sundimin e Shkodrës vazhdoi gati gjysmë shekulli, lufta midis Bargjinëve dhe Toptanëve për sundimin e Tiranës vazhdoi më tepër se 60 vjet. Në këto luftra feudale morën pjesë edhe masat qytetare, veçanërisht esnafët. Me gjithë kontradiktat që kishin, shpesh herë tararfet, për të mbrojtur interesat e veta, bashkoheshin përpara rrezikut të feudalëve zullumqarë, kur këta me anën e bandave të tyre sulmonin herë pas here qytetin, plaçkisnin karvanet e tregëtarëve, bastisnin natën dyqanet e shtëpitë dhe i ngarkonin qytetarët me haraç. Por zakonisht tarafet, në kantradikta midis tyre, mbanin anën e feudalëve që merrnin pak a shumë parasysh interesat e tyre jetësore dhe luftonin bashkë me ta kundër oxhaqeve të tjera, me të cilat ishte bashkuar tarafi kundërshtar.

Në luftat feudale që shpërthyen në Shqipëri gjatë shek. XVIII morën pjesë edhe feudalët e vegjël spahij. Me grumbullimin e shumë timarëve ose zeametëve në duar të një feudali të vetëm, mjaft timarlij ose zaime u xhveshën nga timaret e tyre, Me qëllim që të rifitonin pozitat e humbura ose të krijonin prona çifligare, këta feudalë organizonin banda të armatosura me fshatarë të deklasuar ose të aratisur për shkaqe të ndryshme. Me këto banda ata kryenin zullume të mëdha, sulmonin fshatra qytete e karvane, mbillnin panik e pasiguri, deri sa të nënshtronin spahijtë rivalë ose të siguronin nga Stambolli emërimin e tyre si funksianarë të posteve që aspironin. Nga dobësimi i autoritetit të Stambollit përfituan derebejtë, të cilët gjetën fushë të lirë për të shtuar numrin e fshatrave të futura nën vartësinë e tyre feudale. Nga ana e tyre bajraktarët dhe kapedanët filluar ti përdornin edhe ata repartet e tyre për të kryer sulme plaçkitëse në viset e ndryshme brënda dhe jashtë Shqipërisë. Eshtë pikërisht gjatë kësaj kohe që bajraktarët dhe kapedanët i përforcuan pozitat e veta dhe filluan të ndërhynin në grindjet midis oxhaqeve, duke nxjerrë përfitime për vehte dhe për malsorët.

Për të vënë një farë rregulli nëpër sanxhaqe që po shkëputeshin përherë e më tepër nga kontrolli i saj, qeveria e Stambollit rikrijoi përsëri repartet e martallozëve nën komamdën e bylykbashëve, dhe ato të dervenëve nën komandën e dervenagave. Bylykbashët, të cilët kishim për detyrë të mbanin rregullin dhe qetësinë nëpër fshatra, vareshin nga sanxhakbeu, ndërsa derven-agatë, detyra e të cilëve ishte të mbronin shtigjet, rrugët dhe qafat malore, vareshin nga një derven-pashë. Por në kushtet e çthurjes së rendit feudal, bylykbashët filluan t'i përdornin repartet e martallozëve jo më për të mbrojtur fshatarët por për të plaçkitur dhe nënshtruar fshartrat rreth e rrotull, duke u kthyer dalëngadalë në feudalë. Një degjenerim të tillë pësuan edhe repartet e dervenëve. Shumë shpejt dhe dervenagatë i përdorën repartet e dervenëve për të forcuar pozitat e tyre duke u kthyer edhe këta në feudalë të vërtetë.

Tendenca e përgjithëshme për të zgjeruar pronat, të ardhurat dhe pushtetin feudal, shkaktuan një varg luftash të vazhdueshme midis feudalëve shqiptarë dhe sulltanit, midis vetë oxhaqeve si dhe midis feudalëve nga njëra anë dhe qytetarëve e fshatarëve nga ana tjetër. Këto lufta, që u acaruan në çerekun e dytë dhe të tretë të shek. XVIII e zhytën Shqipërinë në një anarki të thellë feudale, e cila i shkaktoi dëme të mëdha ekonomisë së vendit. Nxitja e bujqësisë dhe lulëzimi i zejtarisë, që u dukën në gjysmën e dytë të shek. XVII dhe në çerekun e parë të shek XVIII, tani u ndërprenë. Gjithashtu edhe zhvillimi kultural që pati filluar të merrte një hov në pjesën e parë të shek. XVII, me keqësimin e përgjithshëm të jetës së qyteteve pësoi një rënje të ndjeshme. Letërsia shqipe që sapo filloi të lëvrohej në rrethin e Beratit nuk u zhvillua dot më tej. Piktorët e talentuar shqiptarë, që ushtruan në gjysmën e parë të shek. XVIII një veprimtari të gjerë artistike, nuk patën më ndjekës të tjerë. Bile, pas mesit të këtij shekulli pësoi një rënie edhe vetë talenti i tyre artistik për arësye se prodhimet e bukura, por të kushtueshme nuk gjenin më përkrahës si më parë. Edhe qendra më e rëndësishme kulturale në Shqipëri, Akademia e Re e Voskopojës, pas rrënimeve që pësoi më 1769, 1772 dhe 1789, nuk u rimëkëmb më.

Luftat feudale përfshinë të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë luftat feudale morën përpjestime të mëdha në pashallëket e Shkodrës, Beratit dhe Janinës, të cilat shërbyen si bërthamë për krijimin e pashallëqeve të mëdha shqiptare pa arritur asnjëra prej tyre të përfshinte krejt teritorin e Shqipërisë.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:54 pm

Grindjet Feudale në Shkodër (1733-1737)

Në fillim të shek. XVIII sanxhaku i Shkodrës zinte një vend të rëndësishëm në territoret turke të Ballkanit, për arësye të pozitës së ekspozuar në bregdetin e Adriatikut në kufi me zotërimet e Venedikut në Dalmaci, dhe si bazë operacionesh kundër malsorëve shqiptarë e malazezë që ishin në lëvizje të vazhdueshme kundër Turqisë. Nga pikëpamja administrative sanxhaku i Shkodrës tani ndahej në 6 kaza: në atë të Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Podgoricës, Plavës dhe Malit të Zi, dhe në disa nahije nga të cilat nahija më kryesore ishte ajo e Lezhës.

Qysh në gjysmën e parë të shek. XVIII anarkia feudale plasi me furi, edhe në sanxhakun e Shkodrës. Ajo solli si pasojë çthurjen e krejt organizimit administrativ të mëparshëm. Në vitet e para të këtij shekulli Mali i Zi, në sajë të luftës së pandërprerë të popullsisë së tij, u shkëput nga vartësia e mytesarifit të Shkodrës, si dhe nga kontrolli turk dhe u kthye në fakt në një krahinë të pavarur. Më vonë, agallarët e Ulqinit, pronarë anijesh e kantieresh, pasi i vranë autoritetet e kazasë, u shkëputën edhe nga kontrolli i Shkodrës.

Brenda në Shkodër dy familje të mëdha feudale shkodrane, ajo e Çaushollajve dhe e Bushatllijve, si dhe feudalët e mëdhej të Pejës Begollajt, disa prej të cilëve ishin vendosur në Shkodër qysh në fund të shek. XVIII, lakmonin secila për vehte sundimin e sanxhakut. Masa e zejtarëve ishte e përçarë edhe ajo në dy tarafe, në tarafin e Tabakëve dhe në atë të Terzive. Pjesa e popullsisë katalike të qytetit, e lidhur pas kryepeshkopatës së Tivarit, mbante një qëndrim me vehte, sipas rastit. Në rivalitetet dhe grindjet midis oxhaqeve e tarafeve morën pjesë gjithashtu oxhaqet e pashallëqeve fqinje, agallarët e Ulqinit si dhe bajraktarët dhe malsorët e rretheve të afërta. Stambolli me ndërhyrjet e veta i acaronte ose i zbuste konfliktet e brëndëshme dhe të jashtme të Shkodrës.

Rreth vitit 1730, sundimin në Shkodër e kishin feudalët e oxhakut të Begollajve të emëruar nga sulltani, të cilët u mbështetën te tarafi i Tabakëve. Rivalët e tyre, feudalët e oxhakut të Çaushollajve u bashkuan me esnafët e tarafit të Terzive. Me politikën e tyre tiranike, Begollajt shkaktuan pakënaqësinë e tregëtarëve shkodrane, agallarëve ulqinaikë dhe malsorëve katolikë. Më 1733 dhe 1737, kur Mahmut Pashë Begolli, mytesarifi i Shkodrës u largua për në frontin e luftës, në Shkodër plasën grindjet feudale midis oxhaqeve, të ndihmuara nga tarafet e tyre. Grindjet vazhduan deri sa në shkurt të vitit 1739 oxhaku i Çaushollajve së bashku me tarafin e Terzive dhe me
përkrahjen e malsorëve katolikë, të tregëtarëve shkodrane dhe të agallarëve ulqinakë, vranë Mahmut Pashë Begollin morën fuqinë në dorë dhe siguruan fermanin sulltanit për emërimin e Jusuf Çaushollit mytesarif në Shkodër.

Por edhe sundimi i Çaushollajve nuk qe i qetë dhe nuk vazhdoi gjatë. Sapo Jusuf Pashë Çausholli u largua edhe ai me ushtritë e veta më 1745 për në frontin e Persisë Tabakët të nxitur nga Begollajt që ishin tërhequr në Pejë, rifilluan luftën e armatosur dhe për 3 vjet, më 1748, siguruan nga Sulltani dekretin për emërimin e një pinjolli Begollaj me detyrën e mytesarifit të Shkodrës. Luftat feudale vazhduan edhe në vitet e mëvonëshme. Brënda 3 vjetëve sundimi i Shkodrës kaloi me lufta disa herë prej Begollajve te Çaushollajt. Anarkia feudale në Shkodër u thellua edhe me tepër, sepse oxhaku i Çaushollajve, pasi siguroi më 1751 sundimin, u përça në dy tararfe që hynë në luftë midis tyre. Kjo u dha rast Tabakëve dhe Begollajve të ngrinin krye përsëri më 1754 dhe të merrnin në dorë fuqinë. Për të shuar konfliktet që po acaroheshin përhere e më tepër, sulltani emëroi më 1755 mytesarif në Shkodër një feudal jo shkodran, Omer Pashë Kavajën. Po atë vit Omer Pasha me ndihmën e Tabakëve, të cilët në këto vite udhëhiqeshin nga Mehmet Bushatlliu, i theu Çaushollajt dhe Terzitë.

Me 1756, kur Omer Pashë Kavaja u largua nga Shkodra, Mehmet Çausholli u përpoq të merrte përsëri sundimin e sanxhakut. Por këtë radhë ai ndeshi në qëndresën e udheheqësit energjik të Tabakëve, Mehmet Bej Bushatlliut, i cili theu kundërshtarët e vet pa ndihmën e Begollajve dhe u bë në fakt sundimtar i Shkodrës. Si dhe në raste të tjera, sulltani i dërgoi atij titullin pashë dhe fermanin e emërimit mytesarif. Me ardhjen në fuqi të Mehmet Bushatlliut, filloi për krahinat e Shkodrës dhe për krahinat e tjera të Shqipërisë veriore periudha gati 75 vjeçare (1757-1831) e sundimit të Bushatllijve.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:54 pm

Mehmet Pashë Bushatlliu (1757-1775)

Familja e Bushatllijve mbahej si nga oxhaqet më të vjetra feudale në Shqipëri. Disa të dhëna e shpien origjinën e tyre para shekullit XV, kur mbanin emrin Beganj-Sumaj. Për të shpëtuar pronat feudale që kishin në Bushat, në jug të Shkodrës, ata rrokën fenë islame qysh në shek. XV, kur Shkodra me rrethin e vet ranë nën sundimin turk. Duke ruajtur pronat e tyre edhe në shekujt e mëvonshëm, Bushatllijtë zunë herë pas here edhe poste të rëndësishme në aparatin administrativ feudal turk të Shqipërisë.

Në kohën kur erdhi në fuqi Mehmet Pashë Bushatlliu, ose siç njihet ndryshe, Mehmet Pashë Plaku, gjëndja ekonomike dhe politike e sanxhakut dhe veçanërisht e qytetit të Shkodrës ishte çthurur. Grindjet feudale midis tarafeve ishin ashpërsuar në kulm. Autoriteti i mytesarifëve ndihej vetëm në qytetin e Shkodrës, bile vetëm në disa lagje të qytetit. Nga rivalët e Bushatlliut Mehmet Pashë Çausholli u arratis, kurse tarafi i Terzive së bashku me përkrahësit e tjerë të Çaushollajve, qëndrua aty gjithnjë si forca kundërshtare. Agallarët e Ulqinit, që kishin anuar nga Terzitë, nuk e njohën autoritetin e tij. Ata i prenë marrëdhëniet me Shkodrën dhe me këtë qëndrim paralizuan tregëtinë dhe dëmtuan ekonominë e qytetit. Krahinat e tjera të sanxhakut përveçse ishin të shkëputura nga Shkodra, qenë të zhytura edhe ato në grindje tarafesh lokale. Prerja e tregëtisë nga ana e Ulqinit dhe e marrëdhënieve ekonomike me rrethin fshatar po e kërcënonin Shkodrën me një zi buke.

Mehmet Pashe Bushatlliu u tregua mjaft energjik qysh në fillim të sundimit të vet. Ndryshe nga parardhësit i vet, të cilët sapo merrnin fuqinë në dorë fillonin menjëherë persekutimet kundër rivalëve të tyre, Mehmet Pashë Plaku u përpoq më parë të siguronte përkrahjen e malsorëve dhe qytetarëve. Malsorëve u njoftoi se do t'u njihte dhe do t'u respektonte, privilegjet e vjetëra. Atyre u kërkoi si kusht që, në rast nevoje, të dërgonin ushtarë një burrë për shtëpi, për të luftuar nën urdhërat e Bushatlliut, brënda kufijve të sanxhakut, si dhe një detyrim prej një dukati në vit. Kjo kërkesë u pranua nga kuvendet e malsorëve dhe i siguroi atij një forcë të madhe të armatosur.

Mehmet Pasha filloi pastaj spastrimet e rivalëve të tij dhe nënshtrimin e krahinave të sanxhakut. I ndihmuar nga të katër djemtë zhduku ose dëboi njeri pas tjetrit udhëheqësit e oxhaqeve kundërshtare të Shkodrës. Më 1759 ai nënshtroi agallarët e Ulqinit dhe dogji bankat e piratëve ulqinakë.

Me këtë akt guximtar, që solli si pasojë zhvillimin e lirë të tregëtisë, ky siguroi simpatinë e zejtarëve e tregëtarëve duke përfshirë edhe zejtarët e tarafit të Terzive, armiqve të tij të mëparëshëm. Më 1760 qetësia e tronditur prej më tepër se gjysmë shekulli u vendos më në fund në Shkodër. Rivendosjen e qetësisë dhe forcimin e autoritetit të Bushatlliut, sulltani e konsideroi si rivendosjen e autoritetit të Stambollit. Prandaj po atë vit i dha Bushatlliut titullin vezir domethënë mytesarif me gradën e ministrit.

Pasi forcoi pozitat brënda sanxhakut-pashallëk, Mehmet Pashë Bushatlliu filloi potikën e zgjerimit të kufijve të pashallikut. Vështrimin e parë e hodhi drejt krahinës pjellore të Zadrimës që ishte has perandorak dhe varej nga mytesarifi i Dukagjinit. Zadrimën nuk e mori dot menjëherë. Atë e mori vetëm pas 10 vjet përpjekjesh. Në të njëjtën kohë ndërhyri në grindje feudale që kishin shpërthye në Shqipërinë e mesme, duke mbajtur anën e Bargjinëve të Tiranës dhe Alltunëve të Kavajës kundër feudalëve të rij të Krujës, Ishmit dhe Prezës. Këtu ai lakmonte të shtinte në dorë të ardhurat e mëdha të mukatasë së Durrësit.

Më 1768, kur plasi lufta ruso-turke, Mehmet Pashë Bushatlilu u thirr nga sulltani të vinte në front. Por, ai para se të shkonte neë front, sulmoi me një ushtri prej 2.500 vetash feudalët e Lezhës të cilët i kishin prerë rrugën dhe kishin formuar së bashku me kapedanin e Mirditës, Gjon Markun, një lidhje kundër tij. Këtë radhë sulmi i tij nuk pati sukses, por dy vjet më vonë, më 1770, pasi pushtoi Zadrimën, sulmoi Lezhen dhe pushtoi me dinakëri qytetin. Pak më vonë, pasi kapi të gjallë dy agallarët e Krujës, Tahir Toptanin dhe Ismail Toptanin, të cilët i vari në Tiranë, futi nën ndikimin e vet qytetin e Krujës. Po atë vit, duke iu bindur urdhërit të sulltanit, ai dërgoi në More nën udhëheqjen e djemve të vet 20 mijë ushtarë e malsorë për të shtypur kryengritjen greke që kishte plasur sapo flota ruse e admiralit Orllov kishte dalë në Mesdhe. Me këtë eskpeditë ai fitoi besimin e Portës së Lartë. Duke shfrytëzuar këtë besim shkëputi po atë vit nga sulltani fermanin për emërimin e djalit të tij, Mustafa Pashës "mytesarif të Dukagjinit" dhe më 1771 mytesarif të Elbasanit. Më 1771 ai lidhi miqësi edhe me kapedanin e Mirditës.

Gjatë këtyre viteve, Mehmet Pashë Bushatlliu ndoqi ndaj sulltanit politikën e bindjes dhe e paraqiste vehten si një mytesarif të Portës së Lartë. Por, me fitoret që korri dhe me shtrirjen e ndikimit të vet në Gegëri, ai e ndjeu vehten aq të fortë sa të mos i respektonte detyrimet ndaj Portës. Ndonëse vazhdonte t'i shprehte besnikërinë Stambollit, ai filloi të mos i dërgonte të gjitha të ardhurat që i takonin arkës së perandorisë, të mos trembej nga qortimet e valiut të Rumelisë dhe të mos i fshihte synimet për forcimin e mëtejshëm të pushtetit të vet. Këto veprime ngjallën dyshime në Stamboll dhe njëkohësisht shqetësimin e sundimtarit të fuqishëm të Beratit, Ahmet Kurt Pashës. Rivaliteti midis dy feudalëve ambiciozë solli konfliktin e gjatë dhe pa përfundim midis tyre. Ahmet Kurt Pasha i cili gëzonte besimin e Portës së Lartë dhe kishte influencë të madhe në rrethet qeveritare të Stambollit, bënte presion të vazhdueshëm për t'i thelluar dyshimet e sulltanit ndaj Mehmet Pashë Bushatlliut.

Porta e Lartë vendosi më në fund të zhdukte Mehmet Pashë Plakun dhe të suprimomte Pashallëkun e Shkodrës pa përdorur forcën e armatosur. Më 1775 ajo mundi të helmonte tinëzisht plakun Bushatlli dhe emëroi menjëherë në vënd të tij, me detyrën e mytesarifit të Shkodrës, një pashë jo Bushatlli, Mehmet Pashë Qystendilin.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:54 pm

Me sundimin e vet gati 20 vjeçar, me sukseset që korri së bashku me djemtë e tij në zhdukjen e trazirave të brendëshme dhe në zgjerimin e pashallëkut përtej kufijve të sanxhakut si dhe me politikën gjysmë-autonome që ndoqi ndaj sulltanit, Mehmet Pashë Plaku kishte krijuar një bazë të shëndoshë për pasardhësit e vet. Për këto arësye emërimi i Mehmed Pashe Qystendilit mytesarrif në Shkodër, menjëhere pas vrasjes së Mehmet Pashë Plakut, nuk u prit mirë as nga qytetarët dhe as nga malsorët e pashallëkut. Me përkrahjen e tyre, në kundërshtim me vendimin e Portës së Lartë, vendin e plakut Bushatlli e zuri biri dhe bashkëpuntori i ngushtë i tij, Mustafa Pashë Bushatlliu. Por Stambolli këtë ndryshim nuk e njohu.

Mustafa Pasha a filloi sundimin e vet me një veprim tjetër mospërfillës ndaj sulltanit. Ai grumbulloi një ushtri shqiptare prej 10 mijë vetësh dhe në krye të saj u nis kundër Ahmet Kurt Pashës së Beratit, i cili po përgatitej të pushtonte Tiranën dhe të kërcënonte pashallëkun nga jugu. Por në përpjekjen që u bë afër Peqinit, ushtritë e Bushatlliut u thyen dhe u tërhoqën në Shkodër duke lënë shumë të vrarë.

Me gjithë disfatën, pozitat e Mustafa Pashës nuk u tronditën. Po atë vit, më 1775, me ndihmën e qytetarëve dhe malsorëve, sulmoi në dyert e Shkodrës dhe i detyroi të ktheheshin prapa ushtritë turke që erdhën së bashku me Mehmet Pashë Qystendilin "për të zhdukur nga faqja e dheut, - sipas shprehjes së fermanit të sulltanit, - bijtë e fëlliqur të Mehmet Pashë Shkodranit".

Porta e Lartë as më vonë nuk e njohu Mustafa pashën si sundimtar të pashallëkut. Por, për të mos i acaruar marrëdhëniet me Shkodrën, në vend të Qystendilit, sulltani në fund të atij viti emëroi mytesarif në Shkodër vëllanë e Mustafajt, Mahmut Pashë Bushatlliun, i njohur me emrin Kara Mahmut Pasha. Me këtë emërim Sulltani shpresonte gjithashtu të shkaktonte grindjen midis vëllezërve Bushatllij. Por në radhët e këtyre nuk ndodhi përçarja. Mustafa Pasha hoqi dorë nga ofiqi i sundimtarit dhe në krye të pashallëkut u vu Kara Mahmuti (1775-1796).

Kara Mahmuti, si të gjithë sundimtarët e pashallëqeve të tjera e filloi sundimin duke i shprehur besnikërinë sulltanit. Por nga ana tjetër ai mbajti pranë vehtes Mustafa Pashën dhe ndoqi rrugën e të vëllait, i cili u bë bashkëpunëtori i tij më i ngushtë. Prandaj Porta e Lartë vendosi t'i zhdukte me anë komploti, para se të ishte vonë, të dy udheheqësit Bushatllij.

Dhe ky rast u gjet. Derebejt e Toskërisë, që së bashku me repartet e tyre kishin shkuar në More për të shtypur kryengritjen greke, kishin rënë pas plaçkitjes dhe po e acaronin më tepër gjendjen. Për të shtypur përfundimisht kryengritjen dhe për të nënshtruar derebejtë e pabindur, më 1777 sulltani urdhëroi Kara Mahmutin të dërgonte, kundrejt shpërblimit që do t'u paguante Porta e Lartë, forcat e veta në More. Kara Mahmuti nisi për atje një ushtri prej 3 mijë vetësh nën komandën e Mustafa Pashës. Në fillim shkodranët vunë në More njëfarë rregulli. Por Porta e Lartë nuk u dërgoi për një kohë të gjatë shpërblimet. Të mbetur pa të holla, ushtritë shkodrane më 1779 ranë edhe këto pas plaçkitjes. Këtë rast sulltani e shfrytëzoi për të zhdukur Bushatlliun. Me urdhër të tij kapudan-pasha (kryekomandant i flotës turke sulmoi ushtritë e Bushatlliut në More për t'i ndëshkuar, dhe me këtë rast për t'i çfarosur. Në More turqit mundën të helmonin edhe Mustafa Pashën. Po në këtë kohë, me nxitjen e Portës së Lartë, feudalet rivalë të pashallëkut shpërthyen në Shkodër një kryengritje për të përmbysur Kara Mahmutin. Por të gjitha këto plane dështuan. Kara Mahmuti, me përkrahjen e qytetarëve dhe malsorëve, e shtypi kryengritjen dhe mbeti përsëri në fuqi. Dështimi i këtyre planeve e detyroi Portën e Lartë të tërhiqej për një farë kohe. Më 1780 sulltani i dërgoi Kara Mahmutit fermanin me të cilin e emëronte mytesarif në Shkodër.

Kështu, qysh në vitet e para të sundimit të tij Kara Mahmuti korri një fitore të rëndësishme mbi Portën e Lartë. Fitorja e bëri atë më të pavarur. Por në to njëjtën kohë ajo shënoi një etapë të re në thellimin e mëtejshëm të kontradiktave që ishin çfaqur prej kohësh midis feudalëve, zejtarëve dhe tregëtarëve të pashallëkut dhe pushtetit qëndror turk. Që tani e tutje Kara Mahmuti filloi të mbështetej vetëm në forcat shoqërore dhe politike shqiptare.

Sundimi i Kara Mahmutit vazhdoi 21 vjet. Nga vargu i sundimtarëve Bushatllij ky ka qenë sundimtari më i shquar, më energjik dhe më i ndërgjegjshëm në politikën e tij autonomiste.

Politika e brëndëshme që ndoqi Kara Mahmuti shquhet nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për të forcuar autoritetin e klasës feudale shqiptare dhe për të mbrojtur atë nga ndërhyrjet pushtetit qëndror turk.

Qetësia që u sigurua gjatë sundimit të tij, i dha mundësi lulëzimit të zejtarisë dhe tregëtisë së pashallëkut. Nga ana tjetër edhe ai vetë e përkrahu rritjen e prodhimit zejtar dhe veprimtarinë e tregëtarëve shkodranë. Kur cënoheshin interesat e tyre ai ndërhynte drejtpërdrejt pranë pashallarëve të sanxhaqeve të tjera ose pranë autoriteteve venedikase. Vetë Kara Mahmuti zhvilloi një veprimtari të gjerë tregëtare. Anijet e tij udhëtonin deri në brigjet e Afrikës.

Ky lulëzim solli shtimin e të ardhurave dhe njëkohësisht shtimin e fuqisë së tij politike. Këto e lejuan Kara Mahmutin të ngrinte një ushtri të fortë. Në radhët e kësaj ushtrie ai tërhoqi jo vetëm myslimanët, por edhe forca të mëdha malësorësh katolikë të pashallëkut, të kënaqur nga politika e afrimit që ndoqi kundrejt elementëve të feve të ndryshme. Të gjitha këto i dhanë atij mundësinë të zhvillonte fushatat për zgjerimin e kufijve të pashallëkut dhe të përballonte me sukses tri ekspedita të mëdha turke të drejtuara kundër Shkodrës.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:54 pm

Konfederata ilirike

Kujdesin e parë Kara Mahmut Pasha ia kushtoi ëndrrës së Bushatllijve, përfshirjes së Malit të Zi në sanxhakun e Shkodrës. Disa kohë më parë Porta e Lartë ia kishte shkëputur Shkodrës Malin e Zi dhe ia kishte dhënë valiut të Bosnjes me pretekst se popullsia malazeze ishte sllave. Kara Mahmuti iu lut valiut të Bosnjes t'ia kthente këtë krahinë. Valiu si dhe Porta e Lartë nuk pranuan. Atëhere ai sulmoi kështjellat e Podgoricës dhe të Shpuzës në Malin e Zi, që ishin në dorën e valiut të Bosnjes, por këto nuk i mori dot. Pas këtij sulmi, Porta e Lartë e porositi me 1784 Kara Mahmutin të hiqte dorë nga këto synime dhe e paralajmëroi se do të shkarkonte nga ofiqi i mytesarifit po të mos u bindej urdhërave të sulltanit.

Kara Mahmuti nuk i përfilli porositë e Stambollit. Ai lidhi miqësi me Ahmet Pashën, sundimtarin e Ohrit dhe me Ali Pashë Tepelenën, sundimtarin e Delvinës që ishin kundërshtarë të rivalit të tij, Ahmet Kurt Pashës. Në të njëjtën kohë vuri dorë mbi krejt të ardhurat e Zadrimës që ishte has-perandorak i motrës së sulltanit. Pastaj, në qershor të vitit 1785, kur në Mal të Zi, në mungesë të vladikës Pjetër Njegoshit, që ndodhej në Rusi, kishin shpërthyer grindjet e brendëshme, Kara Mahmuti doli me ushtritë e veta nga Shkodra, sulmoi dhe pushtoi kështjellat e Podgoricës dhe të Shpuzës. Prej këtej, gjoja për të dënuar Malin e Zi për marrëveshje që kishte lidhur me Austrinë dhe me Rusinë, sulmoi malazezët, hyri në Cetinjë, dhe e shtroi pjesën më të madhe të vendit nën haraç. Gjatë kthimit për në Shkodër, ai pa e lajmëruar fare Republikën e Venedikut, kaloi mes për mes tokave bregdetare që ndodheshin nën sundimin e saj, duke plaçkitur vëndin.

Venediku protestoi dhe Porta e qortoi Bushatlliun. Por Kara Mahmuti nuk ia vuri veshin dhe u nis kundër Ahmet Kurt Pashës së Beratit. Në fillim ai sulmoi feudalët e Shqipërisë së mesme që ishin aleatë e vasalë të sundimtarit të Beratit, dhe arriti deri në Lushnje, Elbasan e Korçë. Në afërsitë e Peqinit, Kara Mahmuti i theu ushtritë e Ahmet Kurt Pashës. Por ai u detyrua të kthehej me të shpejtë në Shkodër, sepse mori vesh që sulltani e kishte shkarkuar nga detyra e mytesarifit dhe po pregatiste kundër tij një ekspeditë ushtarake.

Në ekspeditën ndëshkimore u urdhëruan të merrnin pjesë ushtritë e Rumelisë e të Bosnjes si dhe ushtritë e rivalëve shqiptarë të Bushatllijve. Drejtimi i ekspeditës i u ngarkua valiut të Rumelisë, Abdi Pashës. Republika e Venedikut mori përsipër të bllokonte Shkodrën nga deti gjatë ekspeditës.

Për të penguar bashkimin e forcave armike, para se këto të arrinin në Shkodër, Kara Mahmuti, me t'u kthyer nga fushata e Beratit, nisi me të shpejtë kundër forcave të Bosnjes një pjesë të ushtrive të tij, kurse me anën e malsorëve dibrane u zuri prita forcave të valiut të Rumelisë. Duke i gjetur të zëna rrugët e Dibrës, Abdi Pasha mori rrugën e Kosovës. Por këtu, në gusht të vitit 1785, Kara Mahmuti me forcat e veta kryesore e goditi në befasi dhe e shpartalloi keq. Disfata e valiut i detyroi edhe pashallarët e tjerë rivalë të tërhiqeshin pa rënë fare në përpjekje.

Fitorja e Kosovës pati rëndësi të madhe për Pashallëkun e Shkodrës. Ajo forcoi pozitat e Kara Mahmutit dhe e shtoi prestigjit e pashëllëkut jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e huaja. Rritja dhe forcimi i këtij pashallëku tërhoqi vëmëndjen, sidomos të Austrisë e të Rusisë, të cilat po përgatiteshin për luftën e re kundër Turqisë që u shpall dy vjet më vonë, më 1787. Por edhe Kara Mahmuti, pas fitoreve që korri, synoi të njihej nga fuqitë e huaja si sundimtar autonom në Shqipëri. Kështu filluan kontaktet midis Bushatlliut dhe oborreve perandorake të Austrisë e të Rusisë.

Gjatë përgatitjeve për luftë kundër Turqisë, Austria përpiqej të nxiste kryengritjet e popullsive të shtypura ballkanike dhe revoltat e feudalëve të fuqishëm që nuk ishin në marrëdhënie të mira me Stambollin. Vjena u përpoq të shfrytëzonte edhe Kara Mahmutin që kishte hyrë në konflikt me sulltanin. Me anë të agjenteve të saj, qeveria e Vjenës i propozoi Bushatliut që të bashkonte forcat antiturke shqiptare e malazeze dhe t'i udhëhiqte në luftën kundër Stambollit duke i dhënë shpresë se në rast fitoreje, ai do të njihej sundimtar sovran i Shqipërisë.

Porta e Lartë u shqetësua nga kontaktet e Kara Mahmutit me Vjenën. Koxha Jusuf Pasha, që u emërua ato javë vezir i madh i Turqisë, duke pasur nevojë për forcat e konsiderueshme ushtarake të Kara Mahmutit, u përpoq t'i zbuste marrëdhëniet, me sundimtarin e zemëruar të Shkodrës. Prandaj nxori nga sulltani fermanet për faljen e tij dhe për njohjen e gradave dhe ofiqeve të mëparëshme.

Por këto dekrete nuk i bënë ndonjë përshtypje Kara Mahmutit. Atij i kishin pëlqyer propozimet austriake pasi këto përputheshin me synimet e veta për t'u bërë një ditë mbret i Shqipërisë, si pasardhës i Kastrioteve, sikurse flitej në rrethet shkodrane të kohës së tij. Prandaj Kara Mahmuti thirri në një kuvend të përbashkët, që u mbajt në Podgoricë në mars 1786, krerë shqiptarë nga pashallëku i tij i madh si dhe krerë të popullsive sllave nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina. Kuvendi vendosi bashkimin e forcave në luftën kundër turqve dhe krijimin e një lidhje që u quajt nga bashkëkohësit Konfederata Ilirike. Kryetari i konfederatës u zgjodh Kara Mahmuti. Në shenjë përgëzimi Jozefi i II i Austrisë i dërgoi konfederates një kryq të madh argjendi që iu dorëzua kryetarit të saj.

Pas vendimeve të Podgoricës, Kara Mahmuti zhvilloi një veprimtari të madhe për të grumbulluar rreth vehtes krerë të tjerë shqiptare e sllavë. Ai forcoi ushtrinë dhe urdhëroi malsorët të ishin gati, që me kushtrimin e parë të paraqiteshin nën urdhërat e tij një burrë për shtëpi. Për të siguruar krahët ai u pajtua me rivalin e vjetër, Ahmet Kurt Pashën e Beratit. Ndërkohë Kara Mahmuti iu drejtua edhe carit të Rusisë duke i kërkuar mbrojtjen e shtetit rus. Petërburgu iu përgjegj se ai do të kishte përkrahjen ruse, në qoftë se hiqte dorë nga lidhjet me Austrinë. Kara Mahmuti preferoi në këtë rast Vjenën.
Pashallëku
i Shkodrës

Pashallëqet Shqiptare
Grindjet Feudale
në Shkodër
Mehmet Pashë Bushatlliu
Kara Mahmut Bushatlliu
Konfederata ilirike
Rrethimi I i Shkodrës
Marrëdhëniet e Jashtme
Karakteri i Pashallëkut
të Shkodrës
Rrethimi II i Shkodrës
Rënia e Pashallëkut
Pashallëku në vitet
1822-1829
Shtypja e Pashallëkut
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:55 pm

Rrethimi i Parë i Shkodrës (1787)

Në verën e vitit 1787 filloi lufta ruso-turke. Ushtritë kryesore otomane morën urdhër të niseshin në frontin e Danubit. Forcat e Rumelisë, me në krye valiun Abdi Pasha, u nisën në drejtim të Belgradit për të vëzhguar lëvizjet e austriakëve, e të serbëve.

Largimi i tyre i dha Kara Mahmutit rastin e volitshëm për të vënë në jetë vendimet e Podgoricës. Pa humbur kohë, në krye të forcave shqiptare-malazeze të Konfederatës Ilirike, filloi veprimet luftarake kundër Stambollit duke marshuar për në Kosovë. Këtu ai dëboi funksionarët turq, vuri dorë mbi pasuritë shtetërore, vendosi bylykbashët e vet, spastroi dhe çfarosi feudaIet vëndas që e kundërshtuan.

Sulltani u përgjegj duke shpallur Mahmut Pashë Bushatlliun, "fermanli". Ai ngarkoi Mahmut Pashë Ajdosin të kryesonte ekspeditën ndëshkuese. Në të njëjtën kohë emëroi rivalin e vjetër të Bushtlijve, Mehmet Pashë Çaushollin, mytesarif të Shkodrës në vend të Kara Mahmutit që ishte dënuar me vdekje për tradhëti të lartë. Plani i ekspeditës parashikonte rrethimin e Shkodrës nga toka me anë të forcave të Rumelisë, të Bosnjes, dhe nga deti me anën e flotës turke që komandohej prej vetë kapudan-pashës. Së bashku me forcat e Rumelisë u urdhëruan të merrnin pjesë edhe pashallarët shqiptarë. Të gjitha këto forca arrinin në 30 mijë ushtarë.

Kara Mahmuti vendosi t'i sulmonte ushtritë armike jashtë Shkodrës para se ato të rrethonin qytetin. Me një pjesë të forcave të veta u dolli përpara ushtrive të Mahmut Pashë Ajdosit dhe i ndali mbi lumin Drin. Në të njëjtën kohë, me anë të malsorëve shqiptarë e malazezë, ia mbylli rrugën valiut të Bosnjes që po i drejtohej Shkodrës nga veriu. Por, sapo ushtritë e Bushatlliut u larguan nga Shkodra, feudalët kundërshtarë, në marrëveshje me pashallarët turq, u hodhën në kryengritje dhe shtinë në dorë më 5 gusht Tivarin dhe 22 gusht 1787 Ulqinin. Lëvizja prapa krahëve e detyroi Kara Mahmutin të tërhiqej më 25 gusht në Shkodër. Të nesërmen, me afrimin e ushtrive dhe flotës turke ai u mbyll me 209 ushtarë në kalanë e Rozafatit në pritje të ndihmës së forcave të konfederatës. Por këto forca nuk i erdhën pasi u përçanë nga turqit. Megjithatë Kara Mahmuti e vazhdoi qëndresën.

Pashallarët turq filluan nga të katër anët goditjet me artileri kundër Rozafatit. Ato vazhduan 80 ditë. Të rrethuarit thyen tri sulme të furishme të ushtrive turke. Përkrahësit e Bushatliut hidhnin mbi lum trapa të ngarkuar me pishë të ndezur që i përplaste rryma kundër anijeve turke, duke i penguar t'i afroheshin Shkodrës.

Ndërsa rrethimi vazhdonte, Mahmut Pash Ajdosi dhe Mehmet Pashë Çausholli me ushtritë e tyre, filluan përdhunimet e stilit të vjetër që shkodranët kishin filluar t'i harronin diskriminimin fetar, plaçkitjet e dyqaneve, bastisjet e shtëpive, qytetarëve dhe fshatarëve dhe angaritë e ndryshme të bezdisshme. Këto përdhunime e shtuan pakënaqësinë e masave qytetare dhe fshatare dhe në mënyrë të veçantë të tarafeve të Tabakëve e të Terzive. Në kontakt me qytetarët dhe fshatarët e zemëruar dhe në marrëveshje me disa nga pashallarët që mbanin të rrethuar kalanë, Kara Mahmuti organizoi një sulm të përgjithshëm kundër Mahmut Pashë Ajdosit dhe Mehmet Pashë Çaushollit. Më 25 nëndor 1787, kur nga jashtë malsorët e Hotit, Shoshit, Mirditës dhe fshatarët e Postribës sulmuan ushtritë turke dhe kur brënda në qytet, tarafët e Terzive e të Tabakëve ngritën krye, Kara Mahmuti bashkë me ushtarët e vet doli nga kalaja, sulmoi repartet turke dhe i shpartalloi plotësisht. Gjatë përleshjes, kapudan-pasha dhe valiu i Bosnjës qëndruan, sipas marrëveshjes që kishin bërë fshehurazi me Bushatlliun, sehirxhinj. Pashallarët armiq, të gjendur midis dy zjarreve, u detyruan të tërhiqeshin. Mahmut Pashë Ajdosi me mbeturinat e ushtrisë se vet iku me të shpejtë, kurse Mehmet Çasholli, gjatë ikjes u kap dhe u vra nga malsorët. Pasi përfunduan luftimet, kapudan-pasha dhe valiu i Bosnjes u larguan nga Shkodra pa u shqetësuar nga njeri. Në përfundim të përpjekjes, shkodranët zunë plaçkë të madhe lufte, midis të tjerave edhe 16 topa.

Fitorja pati një jehonë të madhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe në Europë. Gazeta frënge "Lajmëtari i Evropës" (Courrier d'Europe) shkruante me 25 dhjetor 1787 "Pashai i pabindur i Shkodrës, i famëshmi Mahmut, mori në dorë pashallëkun e vet dhe e theu plotësisht Çaushollin, të cilin oborri e kishte emëruar pasardhës të tij në qeverisjen e Shkodrës".

E zënë me luftë kundër Rusisë, Porta e Lartë i ndërpreu përkohësisht veprimet ushtarake kundër Shkodrës. Kjo i dha mundësi Kara Mahmutit të rimerrte vehten nga dëmet që pësoi prej rrethimit të vitit 1787.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:55 pm

Marrëdhëniet e Jashtme

Lufta dhe fitorja e Kara Mahmutit kundër ushtrive turke si dhe hyrja në luftë e Austrisë kundër Perandorisë Osmane në shkurt 1788, krijuan kushtet për afrimin e tyre të mëtejshëm. Ky afrim ngjalli pakënaqësinë e mjaft feudalëve të pashallëkut. Këta, ndonëse e kishin përkrahur Kara Mahmutin, nuk donin shkëputjen e plotë nga sulltani dhe lidhjen me shtetet e krishtera evropiane kundër Turqisë myslimane. Kjo pakënaqësi përfshiu edhe vëllanë e tij, Ibrahim Pasha Bushatlliun. Me ta u bashkua edhe udhëheqësi i tarafit të Tabakëve, Tahir Agë Juka. Këtë lëvizje kundërshtare Kara Mahmuti e theu me vendosmëri. Ai ekzekutoi edhe disa nga udhëheqësit e këtij grupi, midis të cilëve edhe Tahir Agë Jukën.

Si kusht për të njohur Kara Mahmutin sundimtar sovran në Shqipëri, qeveria e Vjenës i kërkoi atij të bënte një marrëveshje për të marrë pjesë luftën që ajo i kishte shpallur Turqisë. Për këtë qëllim qeveria austriake dërgoi në Shkodër, në qershor 1788, një delegacion të kryesuar nga fisniku De Broajar. Në marrëveshjen e përfunduar parashikoheshin veprime ushtarake të përbashkëta. Nën komandën e kolonelit austriak Vukasoviç, ushtri austriake dhe malazeze së bashku me ushtritë Kara Mahmutit do të sulmonin prapa shpine ushtritë turke në frontin e lumit Sava. Në përfundim të bisedimeve të dy palët këmbyen dhurata dhe delegacioni austriak i dorëzoi Kara Mahmutit 50 mijë dukatë për të përballuar shpenzimet ushtarake.
Mirëpo perandori i Austrisë zhvillonte një politikë me dy faqe. Ai synonte të përdorte Pashanë e Shkodrës vetëm për nevojat e veta ushtarake. Nga njëra anë ai i premtonte Kara Mahmutit njohjen si mbret të Shqipërisë, nga ana tjetër po këtë premtim ia bënte edhe mbretit të Napolit në se ky do ta ndihmonte Austrinë me një ushtri prej 30 mijë vetësh në luftën kundër Turqisë. Veç kësaj, Vjena kishte lidhur 10 vjet më parë, më 1774, me Malin e Zi një traktat në të cilin, ndër të tjera, në nenin 4, ishte vendosur: "Në qoftë se territori Sërb do të çlirohet nga turqit, Zeta e sipërme dhe e poshtme, kështjellat e Podgoricës dhe Zhabjakut, si dhe i gjithë territori deri në grykën e Bunës, do t'u mbeten malazezëve".

Çështja në se Kara Mahmuti ishte ose jo në dijeni të këtyre marrëveshjeve të fshehta, nuk është skjaruar. Fakti është se ky, pasi përcolli me nderime delegacionin austriak, me anën e një komplloti të organizuar me pabesi delegatët kur udhëtonin në lumin e Bunës. Me vrasjen e tyre marrëdhëniet me Austrinë u prishën menjëherë. Arsyet e vrasjes ende nuk janë sqaruar, por siç duket mosbesimi ndaj qëllimeve të Austrisë si dhe reaksioni që shkaktoi në qarqet feudale shqiptare dhe brenda në gjirin e familjes së Bushatllijve aleanca me Vjenën, e detyruan Kara Mahmutin të hiqte menjëherë dorë nga ky afrim. Si duket vrasja e delegatëve i nevojitej Kara Mahmutit për të qetësuar qarqet feudale shqiptare dhe për të larguar dyshimet e Portës së Lartë.

Në pranverën e vitit 1789 kur lufta po kthehej në favor të Austrisë e Rusisë, Porta e Lartë u përpoq të afronte Kara Mahmutin me qëllim që të forconte me anën e ushtive të tij frontin e Bosnjes. Kara Mahmuti tani i trembej fitores së Austrisë mbi Turqinë, prandaj pranoi të pajtohej me sulltanin. Në gusht 1789 Sulltani e fali, i dha atij titullin e vezirit dhe e dërgoi serasqer (komandant) të frontit të Bosnjes duke i lidhur dhe të ardhurat e vilajetit të Anadollit. Njëkohësisht sulltani emëroi Ibrahim Bushatlliun sundimtar të sanxhakut të Ohrit.

Afrimi me sulltanin qe një kthim prapa në rrugën e zhvillimit të lirë që kishte marrë Pashallëku i Shkodrës. Kjo i shkaktoi atij humbjen e aleatëve malazezë që kishin marrë pjesë në Kofederatën Ilirike. Në fakt Konfederata Ilirike u prish. Malazezët të nxitur nga Rusia sulmuan pas shpine ushtritë e Kara Mahmutit kur këto ndodheshin në Bosnje, pushtuan kështjellat Shpuzës dhe të Zhabjakut, fundosën dhe dëmtuan në liqenin Shkodrës mjaft anije të Bushatlliut qe bënin veprime ushtarake kundër tyre. Kara Mahmuti kërkonte të merrej vesh me malazezët por bisedimet nuk i dhanë rezultate.

Në tetor 1790 Kara Mahmuti u kthye nga fronti i Bosnjes dhe në maj 1791, me urdhër të sulltanit, ai u nis me ushtritë veta në Vidin (Bullgari), ku mori pjesë në luftën kundër austrikëve. Në Vidin qëndroi pesë muaj. Në tetor u kthye në Shkodër me një sasi të madhe të hollash dhe material të shumtë luftarak.

Gjatë qëndrimit të Kara Mahmutit në Vidin, midis Austrisë dhe Turqisë u nënshkrua në Sistovo, më 14 gusht 1791, një paqë e veçantë, e cila u përcaktua jo nga veprimet luftarake, por nga gjëndja ndërkombëtare e ndryshuar prej fitores së revolucionit të madh frëng.

Pas paqes së Sistovos Austria nuk paraqiste më rrezik për Kara Mahmutin. Tashti ai nuk kishte më arësye perse ta duronte vartësinë e bezdisëshme ndaj sulltanit. Kështu, pas dy vjet afrimi me Portën e Lartë, sapo arriti në Shkodër, u kthye përsëri në politikën e vjetër të pavarur. Si rrjedhim marrëdhënjet me Stambollin përsëri u prishën.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:55 pm

Karakteri i Pashallëkut të Shkodrës

Gjatë sundimit të Kara Mahmutit Bushatlliut Pashallëku i Shkodrës, i krijuar qysh në vjetët 1730-1740, u kthye në një pashallëk të madh autonom. Formimi i këtij pashallëku shqiptar shënon një kthesë të rëndësishme në historinë politike të Shqipërisë. Ai paraqet një rëndësi historike të dyfishtë.

Nga njëra anë, qysh me Mehmet Pashë Plakun, por në mënyrë të veçantë me përforcimin e pushtetit të Kara Mahmutit, u kalua nga përçarja e thellë feudale, nga sundimi i një vargu feudalësh në grindje të vazhdueshme midis tyre, në përqëndrimin e pushtetit në duart e një feudali të vetëm. Më tej, nga sundimi i një feudali në një zonë të ngushtë u kalua në shtrirjen e sundimit të Bushatllijve në një territor relativisht të gjerë që përfshinte pjesën më të madhe të krahinave të Gegërisë dhe të Kosovës. Në krahasim me gjendjen e mëparëshme, kur përçarja dhe grindjet midis pashallëqeve të vogla ishin bërë pengesë për zhvillimin e forcave prodhuese, formimi i këtij pashallëku të madh stabilizimi i rendit publik dhe zhdukja e kufijve krahinorë i dhanë mundësi zhvillimit më të shpejtë ekonomik, shoqëror dhe politik të tij.

Nga ana tjetër, me përqëndrimin e pushtetit politik në duart e klasës feudale shqiptare u kalua nga grindjet brënda për brënda klasës feudale vendase në konfliktin midis klasës feudale shqiptare dhe pushtetit të huaj feudal, të përfaqësuar nga sulltani. Ky konflikt u çfaq qysh me Mehmet Pashë Plakun. Por ai u thellua dhe kaloi në përpjekje të armatosura vetëm gjatë sundimit të Kara Mahmutit.

Megjithëse Kara Mahmuti e mori pushtetin në dorë në sajë të sulltanit, ai, si dhe i ati, nuk mund të cilësohen si funksionarë të thjeshtë turq. Veprimtaria e tyre e mëvonëshme, veçanërisht ajo e Kara Mahmutit, provoi se të dy Bushatllijtë i përdorën fermanet e sulltanit për të forcuar pozitat e tyre politike dhe për të thyer rivalët e brëndshëm. Por shpejt dolën në shesh kontradiktat e thella politike e shoqërore që po zhvilloheshin midis klasës feudale të provincave shqiptare dhe pushtetit qendror feudal turk. Shprehja e parë e acarimit të këtyre kontradiktave ishin helmimi i Mehmet Pashë Plakut të dhe në mënyrë të veçantë dëbimi me forcë i Mehmet Pasha Qystendilit nga Bushatllijtë. Që nga ai vit (1775), krahinat e Gegërisë pushuan së qeni sanxhaqe ose pashallëqe të zakonshme dhe u kthyen në një pashallëk autonom, në një shtet brënda shtetit perandorak turk. Ndonëse formalisht ky pashallëk vazhdonte të quhej sanxhak, ai nuk i përgjigjej më sanxhakut të vjetër të Shkodrës as nga tiparet e brëndëshme, as nga kufijt administrativë. Ai mori pamjen e një pashallëku-principatë dhe familja e Bushatllijëve atë të një dinastie princore.

Shkalla akoma e ulët e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, anarkia feudale që nuk u kapërcye plotësisht dhe dobësia e forcave të brendëshme akoma të papjekura për t'u shkëputur përfundimisht nga Perandoria Osmane lanë gjurmat e tyre në tiparet e këtij pashallëku. Si pasojë klasa feudale e pashallëkut u shkëput plotësisht vetëm në periudha të caktuara nga vartësia Portës së Lartë. Po për këto arësye nuk u ndryshua struktura e aparatit shtetëror turk. Duke mos ndryshuar karakteri i tij klasor feudal, ky aparat (administrata, ushtria, gjyqet, burgjet, etj. mbeti ashtu siç ishin më parë. Por tashti nga një aparat krahinor i Perandorisë Otomane, u kthye në një aparat qendror, i cili udhëzimet kryesore nuk i merrte më nga Stambolli, por nga vetë Shkodra. Ky aparat tani i shërbente drejtpërdrejtë klasës feudale të pashallëkut. Qeveritarët e krahinave vartëse emëroheshin nga Kara Mahmuti. Në krahinat periferike sundimtarët e mëparshëm qëndruan formalisht si "aleatë" në të vërtetë si vasalë të tij. Ushtria ishte edhe ajo drejtpërdrejtë nën urdhërat e suntimtarit Bushatlli. Ligji i sheriatit nuk zbatohej më në interes të pushtetit qëndror të sulltanit, por në atë të Shkodrës, ku ndodhej instaca më e lartë e pashallëkut. Edhe të ardhurat fiskale që më parë derdheshin në Stamboll grumbulloheshin në Shkodër dhe përdoreshin për të mbajtur aparatin shtetëror të pashallëkut. Vetëm gjatë periudhave të marrëdhënieve miqësore me sulltanin ato shkonin pjesërisht në Stamboll.

Pashallëku feudal i Shkodrës nuk u njoh as nga sulltani as nga fuqitë e huaja si një principatë më vehte apo autonome. Ai nuk mundi të zhvillohej si një principate e pavarur për shkak të dobësisë së bazës së tij sociale dhe të epërsisë së sundimtarëve turq. Kjo dobësi duhet kërkuar kryesisht te rivalitetet që vazhdonin të ekzistonin midis feudalëve të mëdhej dhe feudalëve të vegjël të vendit tek të cilët ata mbështeteshin dhe te zhvillimi i pakët i borgjezisë shqiptare. Për këto arësye Kara Mahmuti përpiqej t'u shmangej konflikteve me sulltanin, tek i cili përqëndroheshin fijet e reaksionit të brëndshëm e të jashtëm. Në disa momente pashallëku e humbi karakterin e një shteti autonom. Por në momentet kur marrëdhëniet me Stambollin u acaruan, ai veproi si një shtet më vehte.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:55 pm

Rrethimi i Dytë i Shkodrës (1793)

Pasi u kthye nga Vidini në Shkodër, Kara Mahmut Bushatlliu veproi në mënyrë të pavarur, pa e përfillur fare autoritetin e sulltanit.

Në dimrin e vitit 1791-1792 ai u përgatit që të sulmonte Malin e Zi dhe të ndëshkonte malazezët për lirinë e tyre, të cilët i kishin shkaktuar atij shumë ngatërresa gjatë kohës kur ndodhej në luftë kundër rusëve. Sulmi kundër malazezëve cenonte traktatin e Sistovos me të cilin Turqia ishte zotuar të mos e prekte Malin e Zi. Por Kara Mahmuti, pa marrë parasysh kushtet e traktatit, në pranverën e vitit 1792, nisi kundër malazezëve njerën pas tjetrës dy ekspedita, të cilat përfunduan me dëme të mëdha për Bushatlliun. Pas disfatave Kara Mahmuti hoqi dorë përkohësisht nga Mali i Zi dhe u drejtua në krahinat e Shqipërisë së mesme. Këtu nënshtroi disa pashallarë e bejlerë të cilët kërkonin të shkëputeshin nga vartësia e tij. Gjatë kësaj ekspedite ai vuri dorë mbi mukatat dhe të ardhurat shtetërore të këtyre krahinave, përzuri nga këto vise kadilerët dhe sundimtarët e dyshimtë, të cilët i zëvëndësoi me përkrahës të tij. Në përfundim të kësaj fushate, gjithë Gegëria, që nga kufijtë e Malit të Zi deri në lumin Shkumbin, hyri nën sundimin e plotë të Kara Mahmutit.
Porta e Lartë e këshilloi disa herë Bushatlliun të hiqte dorë nga këto veprime. Por Kara Mahmuti përsëri nuk ua vuri veshin paralajmerimeve të Stambollit. Atëhere sulltan Selimi i III vendosi të ndërhynte ushtarakisht kundër tij. Krahas përgatitjeve ushtarake, Porta e Lartë ushtroi një presion të fortë mbi bashkëpuntorët e Kara Mahmutit. Një pjesë e këtyre të fundit u lëkundën. Në krye të tyre qëndronte gjithnjë vëllai i Kara Mahmutit, Ibrahim Pashë Bushatlliu. Duke e parandjerë shpërthimin e afërt të reaksionit turk, në tetor 1792 Ibrahim Pasha tradhëtoi dhe shkoi në Stamboll ku i shprehu besnikërinë e tij sulltanit.

Në fund të vitit 1792 Kara Mahmuti u shpall për të tretën herë "fermanlli", u shkarkua nga detyra e vezirit dhe u dënua me vdekje. Në vënd të tij mytesarif i Shkodrës u emërua i vëllai Ibrahim Pashë Bushatlliu. Për të vënë në zbatim fermanin e sulltanit, u ngarkua valiu i Rumelisë Ebubeqir Pasha. Pashallarët e Shqipërisë u urdhëruan që të gjithë të merrnin pjesë në ekspeditën kundër Shkodrës.

Pasi u përfunduan përgatitjet ushtarake, Ebubeqir Pasha me një ushtri prej 30 mijë vetësh u nis në fillim të verës 1793 në drejtim të Shkodrës.

Në këtë ekspeditë mori pjesë edhe Ali Pashë Tepelena. Ai e shfrytëzoi këtë rast jo vetëm për t'ia larguar dyshimet sulltanit, por edhe për të nxjerrë përfitime në dobi të pashallëkut të vet. Gjatë marshimit për në Shkodër ai shtiu në dorë kazanë e Korçës dhe sanxhakun e Ohrit. Pastaj siguroi nga sulltani fermanin e emërimit të birit të tij, Myftar Pashës, mytesarif të ketij sanxhaku duke e futur kështu me anën e të birit edhe sanxhakun e Ohrit nën kontrollin e vet.

Kara Mahmuti u doli përpara ushtrive turke por nuk e ndaloi dot marshimin e tyre. Kjo e detyroi atë të tërhiqej në Shkodër dhe të mbyllej në kalanë e Rozafatit. Ushtritë turke hynë në Shkodër më 20 gusht 1793.

Kara Mahmuti me një ushtri të vogël e vazhdoi qëndresën e tij në kështjellë. Edhe këtë radhë u përsëritën ngjarjet e vitit 1787. Ai u muar vesh me përkrahësit e vet në Shkodër, Lezhë e në fshatra, të cilët u hodhën në agimin e 28 nëndorit 1793 në kryengritje, në të njëjtën kohë kur edhe Kara Mahmuti bashkë me ushtarët doli nga kalaja dhe sulmoi trupat turke. Qysh në çastin e parë u mbyllën rrugët e qytetit dhe ushtarët turq u izoluan në shtëpitë e qytetarëve ku ishin strehuar. Pështjellimi në radhët e turqve qe aq i madh sa Ebubeqir Pasha u detyrua të luftonte vetëm sa për të hapur rrugën e daljes së ushtrive nga Shkodra. Pasi ndeshi në një pritë tjetër në Lezhë, Ebubeqir Pasha së bashku me mbeturinat e ushtrive të veta, u tërhoq në mënyrë të çrregullt në Elbasan dhe pak më vonë u largua në Manastir.

Pas fitores Kara Mahmuti parashikonte se sulltani do të dërgonte kundër tij ekspedita të tjera, prandaj mori masa të shpejta mbrojtëse. Por Porta e Lartë nuk i përsëriti më ekspeditat. Nga njëra anë ato i kushtonin shtrenjtë, por nga ana tjetër fitoret e Kara Mahmutit inkurajonin te feudalët e tjerë tendencën për shkëputjen nga sulltani. Porta e Lartë provoi edhe këtë radhë të afronte Kara Mahmutin për ta përdorur kundër feudaleve të tjerë.

Bushatlliu u pajtua me sulltanin dhe me vëllanë e tij, por vetëm përkohësisht. Në të vërtetë ai nuk hoqi dorë nga synimet e mëparëshme. Me pretekstin e nënshtrimit të feudalëve të pabindur, në qershor të vitit 1795 pushtoi Prizrenin duke luftuar kundër koalicionit të feudalëve kosovarë. Pak më vonë pushtoi edhe Dibrën, por këtë e humbi përsëri në vjeshtë. Duke përfituar nga gjendja e turbullt ndërkombëtare që kishin shkaktuar fushatat e Napoleonit në Itali, ai synoi të shtrihej edhe në tokat e Dalmacisë të cilat ishin gjithnjë në dorën e Venedikut. Por këtu pengesa kryesore ishte Mali i Zi. Prandaj, Kara Mahmuti vendosi të nënshtronte popullin trim malazez dhe t'i shkëpuste një herë e mirë Austrisë këtë aleat luftëtar.

Në verë të vitit 1796, në krye të një ushtrie të madhe përbërë nga dy divizione, Kara Mahmuti u nis kundër Palabardhit në Mal të Zi. Beteja filloi në mëngjesin e 11 qershorit. Edhe kësaj radhe heroizmi i popullsive të lira të Malit të Zi shkaktoi disfatën e Bushatlliut. Kara Mahmuti i plagosur u tëhoq me humbje të mëdha. Ai filloi të organizonte një ekspeditë tjetër por edhe kësaj here dështoi. Përveç që humbi një numër të madh ushtarësh dhe oficerësh, këtë radhë ra edhe vetë në luftë më 22 shtator 1796.

Menjëherë pas vdekjes së tij sulltani emëroi mytesarif në Shkodër Ibrahim Pashë Bushatlliun.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:55 pm

Rënia e Pashallëkut

Me vdekjen e Kara Mahmutit mori fund dhe autonomia që gëzoi Pashallëku i Shodrës gjatë sundimit të tij. Pasardhësi i Kara Mahmutit, Ibrahim Pashë Bushatlliu, nuk kishte as energjinë dhe as synimet e vëllait të vet. Ky përfaqësonte atë pjesë të feudalëve shqiptarë që nuk donin të shkëputeshin nga vartësia e sulltanit turk. Si përfaqësues i këtyre feudalëve gjysmë të turqizuar, ky ishte treguar më se një herë kundërshtar i politikës së Kara Mahmutit.

Qysh se erdhi në fuqi, Ibrahim Pasha ndoqi politikën e besnikërisë dhe të bindjes së plotë ndaj Portës së Lartë. Krejt ndryshe nga i vëllai, ai u bë një funksionar i zakonshëm i sulltanit. Ai pranoi dhe i dërgoi Stambollit shumën prej 1 milion groshësh për të shlyer detyrimet e prapambetura që Kara Mahmuti nuk i kishte derdhur në thesarin perandorak. Pastaj Ibrahim Pasha u përpoq të shtypte me anën e forcës përkrahësit politikës së Kara Mahmutit që ndodheshin brenda dhe jashtë pashallëkut. Për këtë qëllim në vitet e parë të sundimit të vet ai ndërmori një numër ekspeditash kundër pashallarëve të Shqipërisë së mesme. Si pasojë e kësaj politike, përkrahësit e Kara Mahmutit u armiqësuan më të dhe filluan të afroheshin me Ali Pashë Tepelenën.

Duke u mbështetur te kleri fanatik Islam, ai ndoqi ndaj pupullsive të krishtera politikën tradicionale turke të diskriminimit fetar. Gjatë sundimit të tij u përdor presioni për të kthyer të krishterët në myslimanë. Kjo shkaktoi pakënaqësinë e malsorëve katolikë të Shkodrës. Nga rezerva të konsiderueshme ushtarake që ishin për Kara Mahmutin, malsorët u kthyen dalëngadalë në një forcë ushtarake armike.

Me këtë politikë Ibrahim Pashë Bushatliu fitoi besimin e plotë të sulltanit, i cili më 1799 e gradoi vezir dhe më 1804 e emëroi vali të Rumelisë. Si vali, Ibrahim Pasha i kreu shërbime të mëdha sulltanit. Ai shkoi me ushtritë e veta në Thraki e në Bullgari për të shtypur kryengritjet e disa pashallarëve. Më 1806, bashkë me valiun e Bosnjës në krye të një ushtrie të madhe prej 40 mijë vetësh shkoi në Serbi për të shtypur kryengritjen çlirimtare të popullit serb. Humbjet e mëdha që pësuan në Serbi feudalët dhe ushtarët shqiptarë shkaktuan grindje midis tyre dhe Ibrahim Pashës, largimin e malsorëve mirditorë nga fronti dhe pastaj disfatën e Ibrahim Pashës nga kryengritësit serbë që e detyruan të kthehej në Shkodër. Tërheqja nga fronti serb solli zemërimin e sulltanit, i cili për paaftësi e shkarkoi më 1807 nga detyra e valiut të Rumelisë. Vitet 1807-1809, Ibrahim Pasha i kaloi si një mytesarif i thjeshtë i sanxhakut të Shkodrës. Më 1809 ai ndërmori një ekspeditë kundër Tiranës për të shtënë në dorë qytetin që ishte zhytur në një luftë të ashpër midis tarafit të Molla Beut dhe feudalit Kapllan Pashë Toptanit. Por këtu, pas tri ditë luftimesh pësoi një disfatë të rëndë nga qytetarët tiranas. Disfata e detyroi Ibrahim Pashën të kthehej në Shkodër, ku pas pak kohe vdiq.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:56 pm

Pashallëku në vitet 1822-1829

Pasi Me pjesëmarrjen në ekspeditën turke kundër Ali Pashë Tepelenës. Mustafa Pashë Bushatlliu kontribuoi në shembjen jo vetëm të Pashallëkut të Janinës por edhe të Pashallëkut të Shkodrës. Ai i dha mundësi sulltanit të thyente njerën pas tjetrës dy qendrat kryesore dhe të organizuara të rezistencës shqiptare. Ky qëndrim i Mustafa Pashës u përcaktua jo vetëm nga rivaliteti i thellë feudal që vazhdonte midis dy sundimtarëve të fuqishëm të Shqipërisë por edhe nga pavendosmeria e tij për tu shkëputur prej vartësisë së sulltanit.

Mustafa Pasha e vazhdoi politikën e bindjes ndaj Stambollit edhe pas vrasjes së Ali Pashës. Më 1822 ai mori pjesë në fushatën turke për shtypjen e revolucionit grek. Më 1823 ushtritë e tij filluan të parat rrethimin e Misolongjit ku kryengritësit grekë bënë një qëndresë heroike. Pas pak kohe kur në Misolongj ra murtaja dhe kur nga Shkodra i erdhën lajme për një komplot që po organizohej nga feudalët e Dibrës, Mustafa Pasha së bashku me ushtritë e veta u kthye pa lejen e Portës së Lartë në Shkodër.

Largimi nga fronti grek dhe sidomos mospranimi i Mustafa Pashës për tu nisur përsëri në Greqi nuk u pritën në Stamboll. Nga ana tjetër synimet e Mahmutit të II për të forcuar pushtetin qendror me anën e reformave ngjallën shqetësime te Bushatlliu dhe te bashkëpuntorët e tij. Prandaj Mustafa Pasha, sapo shtypi lëvizjen që plasi në Dibër, filloi të armatoste ushtrinë dhe kërkonte aleatë për ti bërë ballë ndërhyrjes turke që parashikohej të shpërthente sapo të merrte fund çështja greke. Ai krijoi lidhje me Zylyftar Podën, hyri në marrëdhënie me feudalët e Bosnjës dhe me princin Millosh të sërbisë për të siguruar nëpërmjet tij përkrahjen e shteteve evropiane, sidomos atë të Rusisë.

E zënë me çështjen greke dhe me organizimin e ushtrisë, Porta e Lartë nuk ishte në gjendje të ndërmerrte gjatë viteve 1824-1827 ndonjë ekspeditë kundër Shkodrës. Më 1828 filloi lufta ruso-turke. Turqia urdhëroi midis të tjerëve edhe vezirin e Shkodrës të merrte pjesë me ushtritë e veta në këtë luftë. Si shpërblim i njohu atij të drejtën e sundimit të sanxhaqeve të Ohrit, Dibrës dhe Elbasanit. Rusët, nga ana e vet, u përpoqën të neutralizonin forcën e konsiderueshme ushtarake të Mustafa Bushatlliut. Me anën e princit Millosh ata i dhanë të kuptonte se, po të merrte pjesë në luftë, do ta njihnin atë si sovran të Shqipërisë.

Mustafa Pashës i pëlqeu oferta e rusëve. Por nga ana tjetër nuk vendosi ti prishte marrëdhëniet me sulltanin. Ai ndoqi një rrugë tjetër: vendosi të vononte nisjen e ushtrive të veta me pretekst se nuk ishte i pregatitur për një fushatë dimërore dhe kërkoi leje të nisej në pranverën e ardhëshme. Edhe në pranverën e vitit 1829 Mustafa Pasha e vonoi nisjen e ekspeditës me pretekste të ndryshme deri sa gjenerali rus Dibiq hyri në Bullgari dhe kaloi vargmalet e Ballkanit. Edhe pasi u nisën, ushtritë shqiptare marshuan qëllimisht shumë ngadalë. Ato qëndruan në brigjet ë Danubit, pa hyrë në luftë.

Në front ushtritë turke pësuan një varg disfatash të cilat shkaktuan një pezmatim në qarqet turke kundërshtarë të reformave që kishte ndërmarrë Mahmuti i II. Këto qarqe i u drejtuan Mustafa Pashë Bushatlliut, edhe ky kundërshtar i rreptë i reformave, dhe i kërkuan ndërhyrjen e tij ushtarake për ta detyruar Mahmutin e II të hiqte dorë nga reformat.

Mustafa Pasha priti deri sa u lidh paqja ruso-turke. Në këtë marrëveshje rusët nuk e shtruan farë çështjen e autonomisë së Mustafa Bushatlliut. Atëherë ky, i zemëruar nga qëndrimi i Rusisë, në krye të ushtrive të tij, duke shprehur pakënaqësinë gjoja për kushtet e rënda të paqes, filloi të lëvizte në drejtim të Stambollit. Ky marshim që kryhej me parullën e anullimit të kushteve të paqes, në thelb kishte për qëllim të ushtronte presion mbi komandën ruse. Në Stamboll u përhap paniku por rusët nuk u trembën. Bile gjenerali Dibiq i njoftoi se do ta korsideronte si kryengritës në rast se do të vazhdonte marshimin kundër Stambollit. Gjenerali rus Gejsmar mori urdhër të ndiqte ushtrinë e Bushatlliut. Me 4 tetor 1829 ushtritë ruse i ranë ushtrive shqiptare në Arnaut-Kalesi dhe i thyen. Me këtë disfate të parë Mustafa Pasha u lëkund dhe nuk pati me guxim të marshonte me tutje. Ai pranoi urdhërin e sulltanit dhe u kthye në Shkodër.

Në këtë mënyrë dështoi politika me dy faqe e Mustafa Bushatlliut. Tani ky u gjend i izoluar përballë Portës së Lartë e cila, sapo i çliroi ushtritë nga fronti rus, i përgatiti ato për nënshtrimin e plotë të Shqipërisë. Me këtë mision u ngarkua vetë sadriazemi turk, Mehmet Reshit Pasha, i cili i filloi operacionet ushtarake më parë kundër Toskërisë dhe pastaj kundër Pashallëkut të Shkodrës.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Juѕт٠ Thu Mar 24, 2011 10:56 pm

Shtypja e Pashallëkut të Shkodrës (1831)

Fushata turke kundër derebejve dhe feudalëve të pabindur të Toskërisë ishte një paralajmërim për Pashallëkun e Shkodrës. Megjithatë, Mustafa Pashë Bushatlliun nuk pranoi të merrte anën e feudalëve të jugut që kërkuan ndihmën e tij. Ky qëndrim pasiv solli izolimin e plotë të tij në fillim të vitit 1831 kur Porta e Lartë vendosi ekspeditën kundër Shkodrës.

Më 4 janar 1831 sulltani ia hoqi Mustafa Pashës të drejtën e qeverisjes së Ohrit, Elbasanit, Dibrës dhe Dukagjinit të cilat i vuri nën sundimin e sadriazemit, Mehmet Reshit Pushës. Mustafa Pashës i njohu vetëm sundimin e Shkodrës. Me të njejtin ferman sulltani e urdhëronte Bushatlliun të pranonte në Shkodër vendosjen e një garnizoni të ushtrisë së re turke, dhe të fillohej nga çarmatimi i popullsisë. Po në atë kohë arritën në Shkodër nëpunësit turq që do të vinin në zbatim mënyrën e re të nxjerjes së taksave.

Fermanin e sulltanit Mustafa Pasha e shtroi për bisedim në një mbledhje përpara bashkëpunëtorëve të tij feudalë dhe klerikë myslimanë. Por këta qenë vetëm armiq të reformave centralizuese turke dhe jo kundërshtare të sundimit otoman. Ata vendosën t'i hidhnin poshtë urdhërat e sulltanit jo sepse synonin krijimin e një shteti shqiptar autonom, por sepse këto urdhëra cënonin rendin tradicional. Urdhërat e Stambollit Mustafa Bushatlliu i konsideronte si bidate dhe qeveritarët e Portës së Lartë i quante "armiq të fesë e të mbretërisë".

Mustafa Pasha e hodhi poshtë fermanin e sulltanit. Ndërkohë ai përgatiti ushtrinë për mbrojtje dhe u dërgoi mesazhe bejlerëve të Toskërisë që kishin shpëtuar nga raprezaljet turke si dhe feudalëve të Kosovës e të Bosnjes, për t'i rezistuar së bashku ekspeditës së Mehmet Reshit Pashës. Këtyre përgatitjeve sulltani u përgjigj duke e shpallur Bushatliun "fermanlli". Në vendin Mustafa Pashës, mytesarif i Shkodrës u emeërua sadriazemi Mehmet Reshit Pasha, të cilit iu ngarkua barra e drejtimit të ekspeditës.

Me parullën për një luftë kundër "armiqve të fesë dhe të mbretërisë" dhe me thirrjet që u drejtoi vetëm feudalëve dhe shtresave fanatike myslimane, baza politike e luftës kundër Turqisë u ngushtua. Mustafa Bushatlliun e pasuan vetëm një pjesë e feudalëve. Të tjerët ose qëndruan mënjanë ose u bashkuan me Mehmet Reshit Pashën. Feudalët boshnjakë i premtuan Mustafa Pashës se do të ndihmonin me forcat e veta.

Në mars 1831 Mehmet Reshit Pasha u nis nga Janina drejt Shqipërisë së veriut. Bushatlliu nxitoi të forconte mbrojtjen e Elbasanit, Dibrës dhe Ohrit, por sadriazemi i pushtoi këto qytete më parë se të vinin ushtritë nga Shkodra. Shtabin me pjesën kryesore të ushtrise sadriazemi e vendosi në Manastir.

Mustafa Pasha nuk qëndroi në mbrojtje por vendosi t'i sulmonte forcat turke në Manastir. Në fillim të prillit, i shoqëruar nga 7 pashallarë dhe nga prijsi i Mirditës, Lleshi i Zi, doli nga Shkodra dhe në krye të ushtrive të tyre u nis për në Përlep ku do të takohej me forcat e feudalëve të Bosnjes. Por forcat e Bosnjes nuk erdhën në kohën e duhur. Sadriazemi, duke përfituar nga vonesa e tyre, më 9 prill 1831 i sulmoi ushtritë shqiptare në afërsitë e Përlepit në një kohë kur ato nuk e prisnin dhe i theu. Më 15 prill i theu përsëri në Tikvesh. Më 21 prill 1831, në betejën që u zhvillua në Babunë, me gjithë heroizmin e mirditorëve, ushtritë shqiptare u thyen shumë keq, sepse në çastin vendimtar të betejës, Afzi Pasha, sundimtari i Shkupit dhe aleat i Bushatlliut, tradhëtoi duke kaluar në anën e ushtrive turke. Mustafa Pasha la në fushën e betejës 2 mijë të vrarë, 14 mijë, robër dhe gjithë artilerinë. Ai vetë e braktisi pjesën tjetër të ushtrisë dhe i pasuar nga 100-150 vetë, u nis me të shpejtë në Shkup dhe se andejmi në Prizren për të organizuar një ushtri të re. Por në Kosovë nuk gjeti asnjë përkrahje, prandaj u kthye në Shkodër.

Këtu Mustafa Pasha mundi të organizonte me të shpejtë një ushtri të re dhe u përgatit të nisej për Kosovë ku do të takohej me ushtritë boshnjake, drejt të cilave ishte nisur Mehmet Reshit Pasha. Por ndërkohë në Ulqin zbarkuan ushtri turke. Forca të tjera turke nën komandën e Izet Mehmet Pashës po marshonin nga Maqedonia për Elbasan e Lezhë, në drejtim të Shkodrës.

Bushatlliu u detyrua të qëndronte në Shkodër. Tani ky i kishte varur shpresat në ndihmën prej 25 mijë ushtarësh që i premtuan t'i dërgonin krerët boshnjakë. Por Mehmet Reshit Pasha me veprime të shpejta u doli përpara boshnjakëve dhe i detyroi të ngadalësonin marrshimin e tyre. Mosardhja e boshnjakëve në kohën e duhur e detyroi Bushatlliun të mbyllej në kalanë e Rozafatit.

Mehmet Reshit Pasha i sulmoi ushtritë boshnjake në fushën e Kosovës. Këtë radhë ushtritë turke u thyen, pasi ushtarët shqiptarë që luftonin nën urdhërat e sadriazemit kaluan në anën e boshnjakëve. Me gjithë fitoren e korrur, komandantët boshnjakë nuk i erdhën në ndihmë Shkodrës.

Ushtritë turke nga Kosova arritën në Shkodër dhe rrethuan kalanë. Në Lezhë, ku vendosi shtabin e vet, Mehmet Reshiti priti disa delegatë të qytetit të Shkodrës të cilëve u premtoi qeverim të drejtë dhe shpalljen e amnistisë duke përjashtuar Mustafa Pashën dhe disa pashallarë të mëdhej, Mustafa Pashë Bushatlliu me shokët e vet qëndroi i rrethuar në kalanë e Rozafatit për 6 muaj (maj-nëndor 1831). Gjatë këtyre muajve veprimet luftarake pothuajse u ndërprenë. Mehmet Reshit Pasha vendosi ta detyronte Bushatlliun të dorëzohej nga uria. Mustafa Pasha e zgjati qëndresën deri sa me ndërmjetësinë e kancelarit të Austrisë, princit Meternih, dhe pasi i premtoi besnikërinë sulltanit, u fal nga Porta e Lartë. Me faljen, Bushatlliu u dorëzua, u nis në Stamboll dhe pastaj u emërua sundimtar në krahina të rëndësishme të Anadollit, poste të cilat i mbajti derisa vdiq.

Me dorëzimin e Mustafa Pashë Bushatlliut, Pashallëku i Shkodrës, pashallëku i fundit në Shqipëri, u shtyp. Me të mori fund periudha 12 vjeçare (1820-1831) e përpjekjeve të Portës së Lartë për nënshtrimin e oxhaqeve dhe derebejve shqiptarë, për të hapur rrugën e vendosjes së autoritetit shtetëror turk në Shqipëri.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi