Kënaqesia juaj në portalin tonë!
Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"  - Faqe 7 User-comments-icon
Mire se vini ne Ardhmeria Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Ardhmeria Forum, mund te gjeni Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Ardhmeria-Forum Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Kënaqesia juaj në portalin tonë!
Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"  - Faqe 7 User-comments-icon
Mire se vini ne Ardhmeria Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Ardhmeria Forum, mund te gjeni Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Ardhmeria-Forum Staff.
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Faqja 7 e 7 Previous  1, 2, 3, 4, 5, 6, 7

Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"  - Faqe 7 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Juѕт٠ Mon Jan 24, 2011 12:04 am

Isaku lëvizi në karrigen ku rrinte. Për cilin katror flet, e pyeti Sarën duke e ndërprerë. Për katrorin magjik që kishte gdhendur babai në murin e kishës, tha Sara. Na e tregoi ustai që kishte thirrur babai për të ndërtuar kishën. E kam parë, tha Isaku. Një natë shkuam bashkë me Arianitin në kishë dhe ai ma tregoi duke e ndriçuar me qiri. Por aty nuk kishte katror. Kishte vetëm një fjalë, Kreta, që Arianiti e kishte shkruar me dorën e vet për të nderuar kujtimin e burrave të fshatit që vdiqën këtu. Ai më tha se kishën ia kishte dedikuar atyre burrave si një monument që fshati ua kishte borxh. Katror nuk kishte deri ditën kur ne ikëm dhe unë nuk kam shtuar asnjë presje në atë gur.
Sara ndjeu këmbët t’i ftohen kur kujtoi Metodin dhe Mihalin që mbushnin katrorët magjikë duke plotësuar njëri-tjetrin. Sa herë që bllokohej Metodi, leximin e fjalëve të padukshme e vazhdonte Mihali dhe anasjelltas. Metodi kishte zbërthyer logjikën e numrave, ndërsa Mihali kishte gjetur enigmën e emrave të shkruar nga poshtë-lart dhe nga e djathta në të majtë. Në fund të fundit pse duhej që babai të vizatonte një katror misterioz duke i lënë fjalët bosh sikur donte ta torturonte? Ndërsa Isaku kishte thënë se ai kishte qëndruar i fshehur në bodrumin e shtëpisë dhe jo në kishë. Kishën e kishte parë vetëm një natë kur aty e kishte çuar Arianiti për t’ia treguar si një statujë nderi që e kishte ndërtuar me duart e tij.
Mihali dhe Metodi e kishin mbushur katrorin shpejt pavarësisht se, ndërsa ata flisnin, asaj i ishte dukur sikur po i kalonte gjithë jeta përpara. Ata ishin sjellë si dy magjistarë që bënin të njëjtin numër në çdo qytet, përballë fëmijëve që ktheheshin në shtëpi dhe nuk i zinte gjumi nga magjia.
Është e pamundur, tha Sara që dukej sikur foli me vete. Çfarë është e pamundur, e pyeti Isaku që nuk po e kuptonte. Sara u ngrit dhe shikoi nga dritarja. Mblodhi si në një shportë udhëtimi copat e kujtesës së saj, duke filluar me fjalët e Naumit, ecjen e shpejtë drejt kishës, pastaj dorën e dridhur të Mihal Komnenit mbi portik, merimangën që iu ngjit atij pas mjekrës, pastaj katrorët e vegjël brenda katrorit të madh, fjalët dhe numrat që shkruante dhe fshinte Metodi mbi dërrasën e zezë dhe drita që vinte nga dritarja ia ndriçoi kokën si një diell. Filloi të qeshte me vete dhe u kthye nga Isaku që e shikonte i hutuar.
Katrorin e ka vizatuar Mihali me Metod Antrakidin, tha dhe qeshi me zë të lartë. Iu duk vetja e tallur nga ata dy pleq që me sa duket kishin ardhur në fshat për t’i mësuar asaj rrugën drejt babait. Por ajo nuk bindej dhe ata ishin sjellë me të si me çdo fëmijë tjetër. Kishin gjetur një lodër për ta joshur që ajo t’i ndiqte pas. Katrori ishte një lodër. Magjia e tij ishte e vërteta. Mihali dhe Metodi ia kishin thënë të vërtetën duke luajtur. Por kjo ishte një lojë e domosdoshme dhe Sara ndjeu që i donte të dy edhe më shumë. Po të ishin aty do t’i kishte puthur dhe syzet e Metodit me siguri do ishin mbushur me avull. Janë tallur me mua, i tha Isakut dhe filloi t’i tregonte katrorin me numrin trembëdhjetë që Mihali thoshte se e kishte ndërtuar ai. Sara fliste me pasion duke lëvizur duart mbi dritaren e hapur që dukej si një katror i mbushur me gjethe arre.
Isaku e dëgjoi deri në fund duke qeshur. Nuk mund të ishte ndryshe, tha kur Sara mbaroi. Metodi ishte matematicien dhe katrorët e tij në Voskopojë ishin të famshëm. Ai imitonte Pitagorën dhe i çonte grave katrorë magjikë të mbushur me fjalë dashurie që burat e tyre të mos i zbulonin dot. Kur isha i vogël, ai vinte në shtëpinë tonë dhe më mësonte katrorë me numra. Katrori me numrin trembëdhjetë është nga më të thjeshtët dhe besoj se ai dhe babai, nuk janë lodhur shumë për të përshtatur Kretën me datat dhe emrat e familjes. Kur kanë parë se ti ishe e pavendosur janë menduar derisa kanë gjetur mënyrën për të të bindur. Kanë ndërtuar katrorin dhe pastaj e kanë gdhendur mbi portikun e kishës duke e futur fjalën që kishte shkruar Arianiti brenda tij dhe duke shtuar vetëm numrin 13. këtë gjë e kanë sajuar që të dukej si e vërtetë dhe kur ti ke ikur e hutuar, duke besuar se kishe zbuluar testamentin e babait tënd, me siguri kanë qeshur, por njëkohësisht janë çliruar si të kishin përmbushur një detyrë fisnike.
Megjithatë, Mihali e dinte ku ishim ne. Kur ikën nga fshati, ne ndaluam në Korçë natën duke u fshehur. Unë e dija që do ta gjenim aty dhe Arianiti i tha se do shkonim në Kretë. Atë natë unë fjeta dhe ata të dy folën gjatë. Ndoshta Arianiti i ka thënë se ai duhej të kthehej në fshat dhe të vigjilonte rritjen tënde. Ose, ndoshta, Mihaili ka ardhur vetë duke besuar se kështu po çonte deri në fund dëshirën e babait. Në Voskopojë ai njihej për humorin e tij dhe nuk çuditem që është sjellë kështu duke ta bërë jetën më të lehtë. Kur bënte shaka të rrezikshme merrte syzet e Metodit që të mos njihej, derisa gjakrat të zbuteshin.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"  - Faqe 7 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Juѕт٠ Mon Jan 24, 2011 12:05 am

Sara vuri buzën në gaz dhe u kujtua që për shkak të Mihalit, gratë e Voskopojës i quanin të dashurit e tyre Mektosyçka. Tani ndihej e çliruar. Reçeli ia kishte ëmbëlsuar gojën njësoj si Mihali jetën në fshat. Po të mos ishte Mihali ndoshta nuk do vinte kurrë këtu. Në Kretë kishte zbuluar katrorin e vërtetë. Arianit Komneni, Mihali, Isaku dhe Arianit Komneni i ri ishin brinjët e të njëjtit katror që qëndronin të bashkuara në një trup, si dy duar dhe dy këmbë. Ata ishin katër brinjët e një familjeje. I kishte njohur tre prej tyre dhe tani mbetej i katërti. Vështroi Isakun që rrinte i ulur me këmishën e bardhë si një kujtim nga Voskopoja. Sytë e tij jeshilë ishin çelur prapë dhe ndriçonin rrugën nga një brinjë e katrorit te tjetra.
Kur do më çosh te babai, e pyeti Sara. Kur të duash, u përgjigj Isaku. Por më parë duhet të takosh Marinën dhe Arianitin. Ata kanë kohë që të presin. Sara pohoi me kokë. Dielli ngrohte rrugën, ndërsa Kreta po kthehej nga porti. Njerëzit ktheheshin të ngarkuar dhe Sara mendoi se secili prej tyre kishte marrë një copë të botës dhe po e çonte në shtëpi. Ndërsa ajo, kur të kthehej, do merrte copat e humbura të familjes dhe do t’i çonte në fshat.

Kur ata dolën, Tereza ishte ulur tek arra e madhe. Dera e shtëpisë ishte e hapur dhe mbrëmja hyri brenda si një zonjë e veshur me të zeza. Isaku përqafoi Terezën dhe faqet iu ngjitën pas buzëve të saj me reçel. Ajo nxori një arrë nga përparësja me shumë xhepa dhe ia dha Sarës që e mbajti në dorë deri në shtëpinë e Isakut buzë detit.
Shtëpia kishte një verandë të madhe që Marina e kishte mbushur me lule. Në vjeshtë kur lulet thaheshin fletët e tyre binin mbi det dhe shkëlqenin si luspa peshku. Marina ishte e bukur siç kishte thënë Tereza. Sytë e saj ishin të kaltër, ndërsa vetullat e holla ngjanin si kurora gruri. Megjithëse ishte disa muaj më e madhe se Sara, buzët i kishte akoma të fryra dhe dukej sikur që andej rridhte qumështi. Unë nuk i kam më buzët kaq të freskëta, mendoi Sara kur era e qumështit i mbeti në faqen që puthi Marina. Ishte e gjatë dhe mbante një fund të shkurtër nga i cili dilnin dy këmbë të drejta me mish.
Ndërsa Arianit Komneni ishte një gjë tjetër dhe Sara mendoi se po të kishte qenë vajzë nuk do të ishte aq i bukur sepse në përgjithësi Komnenët i bënin djemtë më të bukur se vajzat. Flokët e zeza i kishte zgjatur deri te supet dhe shpatullat e gjera e mbulonin detin kur ai dilte në ballkon. Era që vinte nga deti i hynte në këmishë dhe gjoksi i tij i fryhej si një mushkëri delfini. Arianiti ngrihej çdo mëngjes dhe shkonte në det. Sara e shikonte nga ballkoni sesi zhdukej, pastaj duart e tij dilnin dhe kapeshin fort pas ujit duke e ngritur të gjithin lart. Unaza e Halil Patronës, që Arianiti ia kishte dhënë Isakut dhe ky Arianitit, dilte mbi ujë dhe hurma e saj shkëlqente si një guaskë prej dielli. Sara kishte parë peshkatarët që notonin në ishujt përreth anijes së Kretës, por ajo që bënte Arianiti nuk ishte not. Babai i kishte thënë se të notosh do të thotë të puthësh detin dhe pikërisht këtë bënte Arianit Komneni. Deti pranonte që ai ta puthte dhe përkëdhelej duke u tundur dhe duke nxjerrë dallgët në breg. Isaku që rrinte në ballkon me Sarën, humbte duke ndjekur të birin me sy dhe i thoshte Sarës së mrekulluar: E ka mësuar notin para se të lindte. Sara kthente kokën dhe i dukej sikur zëri i Isakut vinte nga Voskopoja. Kur Arianiti dilte në breg, uji që i rridhte në trup pikonte mbi gurët e plazhit që shndrisnin si diamante. Ai hynte në shtëpi dhe Marina i jepte një peshqir, që dukej gjithmonë i vogël, për të tharë detin që ai sillte me vete.
Në mbrëmje uleshin në karriget e verandës. Isaku pinte verë të bardhë, ndërsa Sara hante pjepër të verdhë që Marina e spërkaste me sheqer. Arianiti rrinte përballë tyre me fytyrën të kthyer nga deti. Herë pas here shikonte andej, sikur priste të kalonte diçka dhe i thoshte Isakut: Kur turqit të ikin nga ishulli, do kemi më shumë det për t’u larë dhe për të zënë peshq.
Isaku pinte pak verë nga gota e gjatë si këmbët e Marinës dhe i thoshte: Kështu mendoja edhe unë kur isha sa ty. Voskopoja më dukej si një ishull që do ta kisha të gjithin për vete kur të iknin turqit. Por turqit po rrinë shumë gjatë dhe nuk ka shenja se do ikin shpejt. Gjithandej njerëzit janë lodhur dhe i kanë pushuar luftërat, ndërsa luftëtarët janë rralluar. Shqiptarët, që nuk kanë më shpresë, po bëhen myslimanë, ndërsa grekët jetojnë duke u shitur turqve peshk. Kam frikë se turqit nuk do ikin më kurrë sepse tani ne i kemi brenda vetes tonë. Ata na e kanë futur Islamin në krevat, në shtëpi dhe në shpirt. Si mund të ndahet Sara nga e bija që është vajza e një myslimani, apo babai im nga i vëllai që u bë mysliman për t’u hakmarrë ndaj babait të vet? Jemi shumë vonë për t’u ndarë. Ata na kanë futur një kafshë të panjohur brenda në trup dhe ne nuk mund ta vrasim dot sepse kështu plagosim veten. Jemi të detyruar të gjejmë paqe me trupin që të shpëtojmë shpirtin. E në qoftë se duam të jetojmë në paqe duhet ta zbusim egërsinë e kafshës duke e ushqyer me mishin e shpirtit tonë prej Krishti.
Isaku pushonte dhe vera e bardhë ia qetësonte gojën. Marina afronte pjepër me sheqer për të ëmbëlsuar kujtimet por Arianiti nuk tërhiqej.
Voskopoja nuk kishte det si Kreta dhe prandaj nuk shpëtoi, i thoshte të atit. Turqit nuk kishin nga të iknin dhe u bënë një me shqiptarët dhe sot nuk e di çfarë race jeton aty.
Isaku skuqej dhe damari i Marin Kurilës i dilte në qafë dhe ir rrotullohej si një shall i kuq. Voskopoja nuk kishte det, por kishte libra, thoshte Isaku. Deti nuk e ka forcën e librit. Libri mbetet ndërsa deti ikën. Deti është i të gjithëve, ndërsa libri është i më të diturve, që zakonisht janë dhe më të fortët. Ne e kishim rrethuar Voskopojën me një ushtri librash dhe besonim se ajo ushtri do t’i mundte të paditurit, jo duke i vrarë, por duke i bërë të ditur. Në Kretë njerëzit janë të egër. Ata lindin dhe plaken duke menduar ditën kur do t’i hedhin turqit në det, pasi t’i kenë therur si bagëti. Ndërsa në Voskopojë ne mendonim se si do t’i mësonim myslimanët të jetonin si ne.
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"  - Faqe 7 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Juѕт٠ Mon Jan 24, 2011 12:06 am

E di që ka shumë njerëz që thonë se, në qoftë se unë do kisha zgjedhur luftën para paqes, Voskopoja do shpëtonte. Nuk do pendohem derisa të vdes dhe sikur të kem njëqind jetë do bëj prapë të njëjtën gjë. Voskopoja nuk do shpëtonte siç nuk shpëton një libër që bie në fund të detit. Por turqit nuk janë një dimër i përjetshëm dhe ia vlen të durosh duke përsosur artin e të jetuarit në ishull. Kur ata të ikin ne do ta shkruajmë prapë librin që na humbi, por aty do të ketë edhe disa faqe për turqit që nuk do vdesin më kurrë në kujtesën tonë.
Marina e priste pjeprin në copa të vogla që dukeshin si ishuj në pjatë. Sara shikonte qiellin me yje dhe mendonte për Ana Komnenën. Ajo duhet të ishte akoma në oborrin e shtëpisë duke numëruar të njëjtët yje. Hana qepte rroba fëmijësh, ndërsa Muhamedi me siguri po maste me pëllëmbë rritjen e minares. Xhamia dhe kisha rrinin përballë si një trup dhe një shpirt. Rruga e fshatit kalonte midis tyre. Sa herë që njerëzit faleshin, ato merrnin frymë si dy deve me qafa të zgjatura mbi shkretëtirë. Disa faleshin duke u kthyer nga perëndimi, të tjerët nga lindja dhe devetë nuk mërziteshin. Ato do bënin çdo gjë që të mbeteshin në shkretëtirë, sepse askund tjetër nuk mund të jetonin. Duke përcjellë në shtëpi ndonjë vajzë nga fshati, Paridi kalonte aty çdo natë, pa e pasur mendjen. Ana Komnena rrinte në oborr duke pritur Sarën. Kur të lodhej do ulej në stolin e Ibrahimit dhe kur të vinte Muhamedi do ta pyeste për lartësinë e xhamisë, ndërsa Hana do bënte kryqin mbi barkun që nuk i rritej.
Në Kretë, anijet po kalonin mbi ballkonin e shtëpisë dhe pjeprat e prerë e kishin thithur sheqerin si sfungjer. Marina ishte e lodhur dhe nuk do ngrihej më t’i spërkaste pjeprat. Isaku e kishte mbaruar verën e bardhë, ndërsa Arianit Komneni ishte ngritur në këmbë dhe kontrollonte detin sikur priste një sinjal. Përballë tyre, brigjet e Azisë ndizeshin si flakë dhe ai i mbyllte sytë që i digjnin. Kur Sara shkonte në dhomë dëgjonte Marinën që i thoshte Isakut: Pse i the djalit që turqit nuk do ikin. Ti e di që ai mërzitet. Isaku lëvizte nëpër dhomë duke parë Azinë nga dritarja, siç bënte në Voskopojë kur filluan zjarret e mëdha dhe thoshte: Është akoma i ri dhe nuk ka hyrë në moshën kur burrat fillojnë të mërziten. Sara shtrihej dhe duke menduar për Ana Komnenën e zinte gjumi. Nata e saj në Kretë kalonte shpejt sepse ëndrrat ishin të gjata. Ajo shkonte në breg duke ecur me hapa të vegjël dhe futej në ujë. Në fillim, deti i arrinte deri te gjunjët pastaj ngrihej mbi kraharor derisa i prekte mjekrën. Pas saj vinte Isaku me këmishën e bardhë që i ngjitej pas trupit. Sara hapte krahët sikur po fluturonte dhe kur binte ndiente dorën e madhe të Isakut që e mbante mbi ujë, si një varkë. Në breg, Arianit Komneni qeshte dhe thoshte: Lëre të notojë vetë se tani është rritur. Sara habitej që babai i kishte thënë Isakut ta linte vetëm në mes të detit dhe dilte me vrap në breg duke përplasur këmbët pas dallgëve si një fëmijë i llastuar. Por, kur afrohej, kuptonte se babai nuk ishte aty dhe ai që kishte folur ishte Arianit Komneni i ri që zhdukej si dallgë, në drejtim të anijeve. Atëherë asaj i dilte gjumi, por mëngjesi nuk kishte ardhur ende.

Sara doli në verandë dhe priti Isakun. Kur ai u ngrit nga gjumi, ajo i tha: Pashë babanë në ëndërr, po na pret. Isaku veshi këmishën e bardhë dhe pantallonat e zeza, ndërsa Sara mori arkën e vogël që e mbante poshtë krevatit dhe u nisën.
Deti ishte i qetë sepse qielli ishte i qetë. Rruga për në mal dukej si një litar që i mbante bashkë. Po të pritej ai litar, bota do ishte një shtëpi pa tavan dhe pa themel.
Isaku ngjitej përpara dhe Sara e ndiqte. Poshtë tyre, Kreta peshkonte në det.
Ishte një ditë e nxehtë dhe njerëzve nuk u hahej peshk. Megjithatë, peshkatarët dilnin në det sepse nuk mund të bënin ndryshe. Ata jetonin për të peshkuar dhe peshkonin për të jetuar. Ata që nuk peshkonin, laheshin, sepse në ishull të gjithë dinin not. Sara kaloi arkën e vogël në dorën tjetër. Arka tundej nga lindja në perëndim dhe peshonte, megjithëse ishte bosh.
Mali ishte i mbushur me pupla dallëndyshesh dhe Sarës iu duk sikur po shkonin në vendin ku Dedali mblodhi puplat për krahët e të birit. Kur u afruan te pllaja, Isaku ndaloi. Nga humnera vinte një erë e lehtë që fishkëllente si muzikë meshe. Një tufë dallëndyshesh që kishin ndaluar aty kërcyen dhe zbritën në det duke i lënë vetëm. Ajo eci me hapa të vegjël në drejtim të varreve. Prindërit ishin aty, të rrethuar me bar. Sara u ul në gjunjë dhe fshiu pluhurin mbi fytyrat e tyre prej guri. E kishte marrë malli për babanë, ndërsa nënën nuk e kishte parë kurrë kaq afër. Pa shkrimin e babait mbi trupin e nënës dhe ndjeu një nxehtësi që i vinte nga sytë. Kishte ardhur t’i fuste të dy në arkën e vogël, por katër numrat mbi varrin e babait dukej sikur i thoshin të kundërtën. Jo pa qëllim, mbi varrin e tij, ai kishte shkruar një datë që lidhej, si qielli me detin, me një datë tjetër. Po të mos ishin katër numrat mbi barin anonim, lufta e Kretës nuk do kishte fillim, sepse nuk ka lindje pa një datë. Por po të mos ishin katër numrat mbi varrin e babait lufta nuk do kishte fund sepse nuk ka mbarim pa një datë. Midis atyre dy datave shtrihej Arianit Komneni. Ai kishte vdekur duke besuar se lufta me turqit do kishte një fund, siç kishte pasur një fillim.
Sara lëvizi mbi gjunjë dhe pastroi pluhurin e kohës edhe nga varret e tjerë. Luftëtarët nga fshati kishin qenë njëmbëdhjetë dhe bashkë me nënën dhe babanë bëheshin trembëdhjetë. Ajo ndjeu Isakun që merrte frymë pas kurrizit të saj dhe iu kujtua trembëdhjeta e katrorit magjik. Sekreti i atij numri ishte aty. Ndoshta, nga poshtë tokës, babai e shikonte dhe qeshte si një Krisht i lumtur, i rrethuar nga dymbëdhjetë apostujt e tij. Po ta merrte në fshat do duhej ta ndante nga ata. Ajo do rrinte me babanë, por apostujt do mbeteshin pa Krishtin e tyre, si luftëtarë pa një prijës. Ktheu kokën nga Isaku dhe e pa gjatë në sy. Ai shkuli një tufë me bar mbi varrin e Arianit Komnenit dhe e hodhi në humnerë. Fijet e bari u shpërndanë në ajër dhe Sarës iu duk sikur ato ishin trembëdhjetë. Ajo ishte mësuar të numëronte dallëndyshet që fluturonin, por jo fijet e barit që binin në det. Qëndroi edhe pak e ulur në gjunjë, pastaj mori arkën e vogël dhe shkoi në buzë të humnerës. Isaku e pa dhe fytyra i shkëlqeu. Sara zgjati dorën mbi humnerë dhe kur e lëshoi arkën u ndie më e lehtë, si një njeri që ka humbur një peshë të tepërt. Arka u rrotullua disa herë në ajër sikur ishte çliruar nga një dorë që e kishte mbajtur njëqind vjet me vete.
Sara mori frymë thellë dhe pa horizontin që lidhte lindjen me perëndimin. Zjarret në brigjet e Azisë turke iu dukën më të vogla, sikur po shuheshin. U kthye nga ana tjetër dhe pa një varkë të vogël që kishte ndaluar në mes të detit. Në atë drejtim ishte perëndimi dhe fshati. Kur të kthehej në fshat, Ana Komnena do qeshte kur t’i thoshte se e kishte humbur arkën e vogël. Po ta pyeste, Sara do t’i thoshte se e kishte humbur ngaqë nuk i duhej. Por Ana Komnena nuk do ta pyeste.



FUND
Juѕт٠
Juѕт٠
Webmaster
Webmaster


http://www.ardhmeria-forum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"  - Faqe 7 Empty Re: Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Faqja 7 e 7 Previous  1, 2, 3, 4, 5, 6, 7

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi