Kënaqesia juaj në portalin tonë!
Krijimtaria e të “thënave” për shqiptarët në shekujt e mesjetës User-comments-icon
Mire se vini ne Ardhmeria Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Ardhmeria Forum, mund te gjeni Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Ardhmeria-Forum Staff.


Join the forum, it's quick and easy

Kënaqesia juaj në portalin tonë!
Krijimtaria e të “thënave” për shqiptarët në shekujt e mesjetës User-comments-icon
Mire se vini ne Ardhmeria Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Ardhmeria Forum, mund te gjeni Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Ardhmeria-Forum Staff.
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Krijimtaria e të “thënave” për shqiptarët në shekujt e mesjetës

Shko poshtë

Krijimtaria e të “thënave” për shqiptarët në shekujt e mesjetës Empty Krijimtaria e të “thënave” për shqiptarët në shekujt e mesjetës

Mesazh nga SerGio Sat Apr 02, 2011 7:04 am

Deri në fillim të periudhës së pushtimit osman tradita kulturore
shqiptare ishte kryesisht e karakterit parashkrimor. Forma më e
rëndësishme e saj ishte krijimtaria gojore, eposi shqiptar. Në eposin
shqiptar ka edhe zëra të periudhës osmane, që shfaqen sidomos në
ligjërim dhe në emërtime, por në thelbin e vet ai është një përmendore
kulturore shekuj më e hershme.
Në këtë krijimtari njihen rapsoditë historike e tregimet legjendare, që
përbëjnë epikën heroike, si dhe proverbat, të cilat u fiksuan të
shkruara vetëm në shek. XVII. Vendin kryesor në epikën heroike e zënë
rapsoditë kushtuar kreshnikëve si Muji e Halili, Gjergj Elez Alia etj.
Me gjithë numrin e shumtë të motiveve e varianteve ekzistuese, këto
rapsodi kanë një farë përbashkësie që u jep atyre karakterin e një cikli
unitar epik. Në qendër të këtij cikli qëndrojnë bëmat e çetës së
kreshnikëve, si edhe kundërshtarët e tyre, “kralë” e “kapedanë”
veçanërisht nga viset bregdetare.
Lufta e kreshnikëve është vendosur në një kohë e në një ambient që
s’njeh ende armët e zjarrit. Nga brendia e tyre dhe botëkuptimi
shoqëror, nga elementët artistikë që përmbajnë, këngët e kreshnikëve të
çojnë në një periudhë më të hershme se shekujt e invazionit osman.

Sikurse shumica e popujve evropianë, në këtë kohë (në shek. XV)
shqiptarët e kishin kaluar “shekullin e epopesë legjendare”, e cila me
kohë ishte formuar si gojëdhënë letrare kombëtare, që qarkullonte gojë
më gojë e brez pas brezi, duke marrë nga koha në kohë gjurmë, dëshmi e
jehona të tyre.
Hershmëri të thellë historike dëshmojnë veçmas dy tipare të rëndësishme
të figurave mitologjike të ciklit verior: karakteri i tyre matriarkal,
nga njëra anë, dhe ktonik, nga ana tjetër. Kjo është një anë tjetër e
çështjes së autoktonisë së popullit që i ka krijuar. Në eposin helenik
hyjnitë janë matriarkale e patriarkale. Heronjtë e eposit shqiptar janë
bij të Ajkunës. Për herë të parë në epos babai shfaqet me figurën e
Mujit në raport me Omerin (ose “shtatë Omerat”). Figurë qendrore është
Ajkuna që ka një autoritet të madh. Muji dhe Halili formalisht nuk kanë
babë, ata janë bij të një nëne që urdhëron shtëpinë dhe e marrin fuqinë
prej zanave.

Tipari matriarkal i figurave mitologjike të epikës legjendare theksohet
nga fryma e përgjithshme e rapsodisë së njohur të Gjergj Elez Alisë.
Janë gjurmuar e janë gjetur gjurmë të kulturës bizantine, si kërkimi i
haraçit nga bajlozi “tim për tim” (oxhak për oxhak). Por, në thelbin e
vet, burimi tragjik i rapsodisë së Gjergj Elez Alisë është mbarimi i
epokës së flijimit të njeriut (gruas) për një vepër, për një fushatë apo
për haraç. Gjergj Elez Alia amniston përgjithnjë gruan nga flijimi.
Karakteri ktonik (tokësor) i hyjnive të eposit shqiptar thekson
karakterin autoktonik të popullit. Ndryshe prej poemave homerike, ku
hyjnitë kanë një hierarki shumëshkallëshe (nëntokësore), në eposin
shqiptar figurat mitologjike të botës shqiptare janë tokësore. Në
folklorin rrëfimtar, duke përfshirë eposin dhe përrallat, nuk ekziston
“e bukura e qiellit”. Krahas me “të bukurën e dheut” (të kësaj toke) në
traditën etnofolklorike të vendit dalin e bëhen bashkë figura të tilla
si shtojzovallet (aglutinim i “shtojua zot vallet”), shtojzorreshtat
(“shtojua zot rreshtat”), “ato të lumet”, shita.
Cikli shqiptar i kreshnikëve përmban një ndërthurje tiparesh të eposeve
antike dhe atyre evropianë të periudhës mesjetare. Por ka më shumë
tipare të eposeve antike se të atyre mesjetare. Një varg argumentesh
folklorike janë në të mirë të një përcaktimi kronologjik relativ të
burimit të eposit në periudhën e kalimit prej ilirëve te shqiptarët,
prej ilirishtes te shqipja, prej periudhës së fundme të romanizimit në
përballjen me dyndjet sllave.

Eposi shqiptar sundohet fund e krye nga konflikti i bartësve të tij me
popullsinë e ardhur në Ballkan, ai mban vulën e dyndjeve sllave. Eposi
shqiptar nuk u krijua qysh në kontaktet e para me popullsinë e ardhur.
Vetë rapsoditë e këtij cikli bëjnë të njohur se të tjera gjëra ndodhnin
“kur kem’ pas’ besë me krajli”. Këto fakte e arsyetime lejojnë të
mbrohet mendimi se në epos, pavarësisht nga karakteri i tij
shumështresor, megjithatë, ekziston një “kohë e parë”. Ajo përkon me
shek.VII-VIII, kur ndodhin proceset më të rëndësishme divergjente të
brendshme në kulturën etnike, kur vërtetohen shndërrimet cilësore
kulturore, si kalimi nga ilirishtja te shqipja. Pikërisht në këtë
periudhë vendësit përballen me dyndjet sllave në Ballkan dhe njohin pak
nga pak karakterin ekspansiv të tyre.
Faktet folklorike të eposit çojnë në kultin e dheut të të parëve, në
mitin e vendlindjes, në shenjtërimin e bjeshkës, në hyjnizimin e dheut,
në atë kuptim që gjermanët e përdorin këtë fjalë kur thonë “land”.
Ndonëse të kufizuara, në epos ka të dhëna me karakter etnoveçues, që
gjenden të trashëguara në botën shpirtërore shqiptare. Këto fillojnë me
dallimin “të vetët - të tjerët”, që është nga shenjat më të hershme të
ndërgjegjes së bashkësisë. Ndonëse më shumë mund të flitet për një
nocion landi, vendlindjeje, sesa për një hapësirë të përcaktuar qartë,
prapë vetëdija e një atdheu që i bën bartësit e eposit të ndihen mes
tyre “të vetët” del aty-këtu.
SerGio
SerGio
Anëtarë i ri
Anëtarë i ri


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Krijimtaria e të “thënave” për shqiptarët në shekujt e mesjetës Empty Re: Krijimtaria e të “thënave” për shqiptarët në shekujt e mesjetës

Mesazh nga SerGio Sat Apr 02, 2011 7:05 am

Krijimtaria e të “thënave” për shqiptarët në shekujt e mesjetës


Eposi shqiptar në mesjetë kishte formën e vet artistike të kryer. Prej
shekujve të sundimit osman ai mori me vete një shtresë të re ndikimi, që
preku pjesën më të dukshme të tij: emrat e heronjve dhe, deri diku,
dekorin e ngjarjeve. Kjo shtresë, më në sipërfaqe të eposit, ngjan më e
pranishme sa është në të vërtetë. Pjesa më e madhe e emrave të heronjve
mendohet të mos jenë huazime të drejtpërdrejta prej osmanishtes, por
kalime kuptimore të emrave të mëhershëm, përkthime strukturore të tyre.
Emri i Halilit, që i kthyer në shqip do të thotë “i bukur”, i përgjigjet
thelbit të personazhit, që trashëgohet prej kohësh shumë më të hershme.
Në emrin e Gjergj Elez Alisë gjymtyra e tij e tretë do të thotë “i
lartë, fisnik”, që gjithashtu vlen për të theksuar një tipar që
personazhi e kishte para kontakteve me botën e Perandorisë Osmane.

Me frymëzimin e tyre poetik, me mjetet e trajtimit artistik, me vargun e
tyre të rrjedhshëm e me gjuhën e pastër, rapsoditë e kreshnikëve
përbëjnë një thesar të poezisë sonë popullore.
Bashkë me eposin, deri në kohën e kontakteve të para me rrezikun e ri që
po shfaqej nga Orienti, me invazionin osman, shqiptarët kishin krijuar
gjithashtu fondin e baladave, të cilat vinin si kujtime tronditëse të
epokave të shkuara. Njëra prej tyre është ajo që njihet në jug me emrin e
Konstandinit dhe Doruntinës, kurse në veri me emrin “Kënga e Halil
Garrisë”. Koha e lindjes së baladës së ringjalljes përkon me ata shekuj,
kur dija biblike e quante të papranueshëm rikthimin nga bota tjetër,
qysh prej ringjalljes së Krishtit. Balada e Kostandinit dhe Doruntinës
shpesh është trajtuar si kryevepër që ngre lart kultin e besës,
shenjtërinë e fjalës së dhënë, për hir të së cilës mallkimi mund të të
ndjekë në këtë jetë dhe në tjetrën. Mesazhi i besës është i pranishëm në
frymën e baladës, por para këtij mesazhi është fryma e fuqisë së
njeriut për të riardhur në këtë jetë.

Në mesjetë e para saj funksiononin edhe gjini e zhanre të tjera të
folklorit, duke filluar prej atyre më të shkurtrave, si proverbat, deri
te rrëfimi popullor.
Me pushtimin e Shqipërisë nga dyndjet osmane u krijua mjedisi kulturor
për shfaqjen e epikës historike. Kësaj periudhe i përket cikli i
Skënderbeut, i cili përmban 10-15 këngë, të ruajtura kryesisht tek
arbëreshët e Italisë. Këngë historike të periudhës së qëndresës së
arbërve madje para Skënderbeut janë ruajtur edhe në Shqipëri. Në një
prej këtyre këngëve i këndohet trimërisë së Milosh Kopiliqit, i cili
vrau sulltanin në betejën e ballkanasve të Fushë-Dardanisë. Ai paraqitet
duke udhëtuar me kokën e vet të prerë nën sqetull dhe motivi i kokës së
prerë që merr e jep mesazhe nga bota tjetër, është ballkanizuar në një
shkallë relativisht të gjerë.

Cikli i Skënderbeut në poezinë popullore të arbëreshëve bashkon
historicitetin e figurave dhe ngjarjeve reale me legjendarizimin e
trashëguar prej epikës heroike. Skënderbeu në këto këngë bën të njëjtat
mrekulli si Shën Gjergji në letërsinë biblike dhe vdekja e tij
përshkruhet me të njëjtin vajtim të botës, natyrës, qiellit, tokës dhe
njerëzve si kryqëzimi i Krishtit. Me këtë cikël ka studiues që bashkojnë
edhe këngën e Gjorg Golemit (Gjergj Arianitit), bashkëkohës i
Skënderbeut, mbledhur e botuar për herë të parë në vitet 30 të shek. XX.
Këngët epike dhe legjendat që i ruajnë arbëreshët e Italisë, të larguar
nga Shqipëria qysh në shek. XV, të cilat me pak ndryshime i gjejmë edhe
te fshatarët e malësorët e vendit tonë, dëshmojnë se ato kanë qenë
thurrur nga rapsodët shqiptarë para shek. XV.

Tradita e arbëreshëve të Greqisë dhe të Italisë, e cila përputhet me atë
të mëmëdheut, tregon se poezitë epike dhe lirike rituale këndoheshin,
përcilleshin me muzikë dhe shoqëroheshin me lëvizje ritmike. Këto valle
bashkë me kostumet e mrekullueshme të valltarëve, përbënin së bashku një
shprehje të lartë artistike që mishëronte gëzimin e jetës dhe shijen
estetike të shqiptarëve.
Kultura popullore shqiptare e mesjetës nuk u zhvillua e shkëputur nga
kontaktet me popujt fqinjë ballkanas. Ajo ndikoi me një varg elementesh
të saj, veçanërisht në veshje, me muzikën, vallet dhe me tiparet e saj
shpirtërore, në kulturën e popujve fqinjë në Maqedoni, në Mal të Zi, në
Serbinë Jugore dhe në Greqi. Nga ana e tyre, shqiptarët e pasuruan
gjithashtu kulturën e vet me ndikime të marra prej fqinjëve të tyre që i
shkrinë në tërësinë e trashëgimit të vet kulturor.
SerGio
SerGio
Anëtarë i ri
Anëtarë i ri


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi